POSTIMET E FUNDIT

Mërgata shqiptare në Bavari – pjesë e pandashme e LDK-së

Nga Gazmend Dashi, Gjermani

Gilching, 31 maj 2026 – Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Bavari mbajti takimin e saj të rregullt me anëtarë, simpatizantë dhe mysafirë të ftuar, ku u prezantua puna dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë muajve të fundit, në një periudhë të karakterizuar nga zhvillime të shumta politike dhe procese të njëpasnjëshme zgjedhore në Kosovë.

Takimi u hap me intonimin e himnit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe himnit “Dardan”, ndërsa të pranishmit mbajtën një minutë heshtje në nderim të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, z. Hafiz Gagica, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.

Në cilësinë e moderatorit, z. Florian Zymeri përshëndeti të pranishmit dhe ftoi në podium Kryetaren e Degës IV të LDK-së në Gjermani, znj. Saranda Musliu. Në fjalën e saj, ajo falënderoi anëtarët, simpatizantët dhe mysafirët e veçantë të këtij takimi, Kryetarin e Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu, si dhe z. Christian Hoferer, përfaqësues i CSU-së dhe delegat i Lëvizjes Paneuropiane në Gjermani.

Duke prezantuar aktivitetet e degës dhe nëndegëve të saj, znj. Musliu vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të strukturave të LDK-së në Bavari dhe rolin e rëndësishëm që mërgata shqiptare luan në proceset demokratike dhe zhvillimet politike në Kosovë. Ajo theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj ndërtimit të institucioneve të forta, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, duke ofruar një program të qartë qeverisës për secilin sektor.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua edhe mobilizimit të mërgatës për pjesëmarrje aktive në proceset zgjedhore. Znj. Musliu u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të kontribuojnë në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës,e në veqanti ajo bëri thirrje për bashkim të së djathtës dhe të votohet Lidhja Demokratike e Kosovës me numrin 113.

Më pas, të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu, i cili shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e jashtëzakonshëm që mërgata shqiptare jep ndër vite për Kosovën. Ai falënderoi Kryesinë e Degës për ftesën dhe organizimin e këtij aktiviteti, duke vlerësuar rolin e diasporës si një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe institucional të vendit.

Në fund të takimit, në shenjë respekti dhe vlerësimi për angazhimin e tyre shumëvjeçar, u ndanë mirënjohje për aktivistë të dalluar të LDK-së. Mirënjohjet, të akorduara nga Kryetari i LDK-së, Prof. Dr. Lumir Abdixhiku, u shpërndanë nga Kryetarja e Degës, znj. Saranda Musliu, dhe Kryetari i Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu.

Takimi u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe me pjesëmarrje të madhe të bashkatdhetarëve, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë të mërgatës shqiptare në Bavari me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe përkushtimin e saj ndaj vlerave demokratike dhe shtetndërtuese të Republikës së Kosovës.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB