Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar për mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Strugë. Shërbimet konsullore për qytetarët e Kosovës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut do të ofrohen nga Ambasada në Shkup.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë do të mbyllet, ka njoftuar Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë në bazë të Dekretit Nr. 150/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Vendimit Nr. Ref. 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Nga Ambasada kanë bërë të ditur se vendimi është marrë pas vlerësimit të dinamikës së misionit konsullor në Strugë, me qëllim optimizimin e resurseve dhe përshtatjen e strukturës diplomatike e konsullore me qëllimet dhe nevojat institucionale.
Shërbimet konsullore do të ofrohen nga Shkupi
Me mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë, qytetarët e Kosovës që jetojnë apo ndodhen në Maqedoninë e Veriut do të mund të marrin shërbimet konsullore pranë Ambasadës së Kosovës në Shkup.
Ambasada do të ketë përgjegjësinë për ofrimin e shërbimeve konsullore në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, krahas funksioneve të saj diplomatike.
Ndërkohë, Kosova do të vazhdojë të ketë prani në Strugë përmes zyrës së Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës.
Sipas Ambasadës, Konsulli i Nderit do të vazhdojë të jetë i ngarkuar me rrethin konsullor të Strugës, duke ruajtur kështu praninë e Kosovës në këtë qytet.
Ambasada në Shkup ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ofrojë shërbime për qytetarët e Kosovës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa riorganizimi synon përshtatjen e shërbimeve dhe resurseve konsullore me nevojat institucionale, transmeton rtk.










