BallinaAtdheuREVOLTA E TË RINJVE, KAMBANË ALARMI PËR NJË SISTEM QË KA HUMBUR...

REVOLTA E TË RINJVE, KAMBANË ALARMI PËR NJË SISTEM QË KA HUMBUR BESIMIN E SHOQËRISË

-

Nga Prof.dr. Pal Nikolli

Zhvillimet e ditëve të fundit përbëjnë kulmin e një pakënaqësie të thellë, e cila prej vitesh është akumuluar te brezi i ri shqiptar, veçanërisht te studentët dhe të rinjtë që nuk pranojnë më të jetojnë nën hijen e një sistemi që u mohon mundësitë, u zbeh shpresat dhe u vë në pikëpyetje të ardhmen.

Kjo pakënaqësi nuk lidhet vetëm me një vendim politik, një qeveri apo një problem të veçantë të arsimit. Ajo buron nga mënyra se si funksionon i gjithë sistemi përfaqësues në Shqipëri, nga bllokimi i jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe arsimore, si dhe nga përqendrimi i pushtetit dhe i mundësive në duart e një elite të vogël, e cila duket se është shkëputur gjithnjë e më shumë nga shqetësimet dhe interesat e qytetarëve.

Në shoqëri është krijuar një bindje shqetësuese: se suksesi nuk varet domosdoshmërisht nga dija, puna dhe aftësitë individuale, por nga lidhjet politike, interesat familjare dhe mbështetja ekonomike. Se konkurrenca e ndershme është dobësuar, meritokracia është kthyer në një premtim të pambajtur dhe drejtësia nuk ofron gjithmonë garancitë që qytetarët presin prej saj.

Për një të ri që studion, përgatitet dhe investon vite të jetës për të ndërtuar të ardhmen e vet, kjo situatë është veçanërisht dëshpëruese. Çfarë kuptimi ka të studiosh, të diplomohesh dhe të fitosh njohuri, kur mundësitë për punësim dhe karrierë nuk përcaktohen gjithmonë nga aftësitë dhe rezultatet? Çfarë vlere ka diploma, nëse ajo nuk shoqërohet me mundësinë për të konkurruar në kushte të barabarta? Dhe çfarë shprese mund të ketë një brez i tërë, kur sheh se dyert e së ardhmes hapen më lehtë për ata që kanë lidhjet e duhura sesa për ata që kanë dijen dhe meritën?

Kur këto pyetje bëhen pjesë e përditshmërisë së mijëra të rinjve, problemi nuk është më individual. Ai shndërrohet në një krizë të thellë shoqërore dhe institucionale.

Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke u mohuar të rinjve të drejtën për ta merituar suksesin. Një shoqëri që nuk shpërblen dijen, punën dhe ndershmërinë, por favorizon klientelizmin dhe privilegjet, rrezikon të humbasë jo vetëm besimin e qytetarëve, por edhe kapitalin e saj më të çmuar: njerëzit e aftë, energjikë dhe të përgatitur.

Në këtë kuptim, reagimi i studentëve dhe i të rinjve duhet parë përtej kufijve të një proteste të zakonshme. Ai është shprehje e kërkesës për një kontratë të re shoqërore, ku institucionet të mos funksionojnë në shërbim të një pakice, por në interes të shumicës; ku arsimi të jetë instrument emancipimi dhe jo mekanizëm përjashtimi; ku politika të jetë përgjegjësi publike dhe jo privilegj personal.

Asnjë shoqëri nuk mund të mbijetojë gjatë në kushtet kur brezi i ri humbet besimin te institucionet dhe bindjen se përpjekjet e tij mund të shpërblehen. Kur të rinjtë nuk e shohin më të ardhmen brenda vendit të tyre, largimi bëhet alternativë, ndërsa indiferenca dhe mosbesimi shndërrohen në plagë që dobësojnë të gjithë shoqërinë.

Prandaj, përgjigjja ndaj kësaj pakënaqësie nuk mund të jetë propaganda, përbuzja e protestuesve apo premtimet e radhës. Ajo kërkon ndryshime të vërteta: institucione të përgjegjshme, arsim cilësor, konkurrencë të ndershme, luftë kundër korrupsionit dhe klientelizmit, si dhe mundësi reale për çdo të ri, pavarësisht prejardhjes familjare apo bindjeve politike.

Revolta e të rinjve është një kambanë alarmi që askush nuk ka të drejtë ta shpërfillë. Ajo u kujton qeverisë, partive politike dhe institucioneve se legjitimiteti nuk fitohet vetëm përmes votës, por ruhet përmes besimit, drejtësisë dhe rezultateve konkrete.

Një vend ku të rinjtë nuk besojnë më te merita është një vend që rrezikon të mbetet pa të ardhme. Dhe një sistem që nuk u krijon mundësi brezave të rinj, por i detyron ata të largohen ose të nënshtrohen, duhet të kuptojë se kriza nuk qëndron te pakënaqësia e tyre, por te shkaqet që e kanë prodhuar atë. Sepse kur një brez humbet shpresën, nuk është brezi ai që duhet fajësuar. Është sistemi që ka dështuar t’i japë arsye për të besuar./GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Trump paralajmëron mundësinë e një tjetër operacioni ushtarak kundër Iranit

0
Presidenti amerikan lë të hapur mundësinë e rinisjes së goditjeve ushtarake, ndërsa bisedimet e paqes mbeten të pezulluara dhe rritja e çmimeve të karburantit...