Real Madridi ka triumfuar në “Camp Nou”, duke e mposhtur Barcelonën me rezultat 2:1, në një El Clasico të luftuar deri në fund. Kjo është humbja e parë e katalunasve në edicionin e sivjetmë të kampionatit spanjoll.
Në një atmosferë fantastike dhe me një ndeshje me raste shënimi, skuadra madrilene tregoi forcë në mbrojtje, ndërsa Kylian Mbappe u bë vendimtar me golat e tij, duke i dhënë Real Madridit tri pikë të mëdha.
Barcelona, pas nëntë fitoreve radhazi, pësoi humbjen e parë në kampionat.
Në minutën e 30-të, Alejandro Balde u fut në fushë te Barcelona, duke zëvendësuar Xavi Espartin e lënduar.
Në minutën e 34-t, Kylian Mbappe humbi një rast të artë për shënim, pasi gjuajti nga afërsia, por topi përfundoi mbi traversë. Një minutë më vonë, Anthony Gordon pati një mundësi të mirë për Barcelonën. Ai krijoi hapësirë brenda zonës dhe gjuajti rrezikshëm drejt portës, por Andriy Lunin reagoi shkëlqyeshëm, duke ia mohuar golin.
Në minutën e 41-të, Mbappe përfitoi nga një top i mbetur i lirë brenda zonës, pas një reagimi të dobët të mbrojtjes vendase. Francezi goditi drejt shtyllës së djathtë dhe mposhti portierin, duke kaluar Real Madridin në epërsi, 0:1.
Në minutën e 44-t, Lamine Yamal shpërdoroi një rast të pastër shënimi nga brenda zonës, pasi gjuajtja e tij kaloi ngushtë pranë shtyllës.
Në fund të pjesës së parë, në minutën 45+2, Yan Diomande iu afrua golit me një goditje nga brenda zonës, por topi kaloi pranë shtyllës së djathtë.
Barcelona reagoi në minutën e 61-të. Pedri asistoi bukur për Raphinhan, i cili nga afërsia goditi fuqishëm drejt këndit të poshtëm të djathtë, duke e dërguar topin në rrjetë për rezultatin 1:1. Dy minuta më vonë, Arda Guler pati një mundësi të mirë për ta rikthyer epërsinë e Real Madridit, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri i Barcelonës.
Në minutën e 66-të, Gerard Martín ishte pranë golit pas një harkimi të saktë nga këndi. Ai kërceu lart dhe goditi fuqishëm me kokë drejt shtyllës së majtë, por portieri i Barcelonës reagoi me një pritje të jashtëzakonshme.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, në minutën e 88-të, Eduardo Camavinga tregoi mjeshtërinë e tij, duke mashtruar dy lojtarë kundërshtarë dhe duke asistuar për Kylian Mbappén. Sulmuesi francez nuk gaboi nga pozita e favorshme dhe shënoi për 1:2, duke vulosur fitoren e Real Madridit.
Pas javës së 10-të, Barcelona vazhdon të kryesojë tabelën me 27 pikë. Pas saj renditet Atletico Madridi me 25 pikë, ndërsa Real Madridi është në vend të tretë në kuotën e 24 pikëve./K.Goca/BS










