Irani ka njoftuar se po shqyrton propozimin e paqes të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, një propozim ky i cili do të ndalte Teheranin të kryente aktivitete për pasurim të uraniumit, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara do të hiqnin sanksione të shumta ndaj tyre. Memorandumi me 14 pika, i cituar nga mediat ndërkombëtare, parashikon gjithashtu hapjen e lirë të ngushticës së Hormuzit në rast të arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit, i cituar nga agjencia ISNA, deklaroi se Teherani do të japë përgjigjen e tij ndaj propozimit. Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh optimist mbrëmjen e kësaj të mërkure, duke thënë se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Kemi pasur bisedime shumë të mira gjatë 24 orëve të fundit dhe është shumë e mundur që të arrijmë një marrëveshje,” tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, ndërsa pretendoi se Teherani ka hequr dorë nga programi i tyre bërthamor, një pretendim ky i bërë disa herë më parë nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. Pavarësisht optimizmit, Trump paralajmëroi se nëse Irani nuk pranon propozimin e tyre të paqes brenda 48 orësh, atëherë Shtetet e Bashkuara do të riktheheshin në luftë më fort se kurrë më parë. Shqyrtimi nga ana e Iranit mbi këtë plan të propozuar nga Shtetet e Bashkuara vjen ndërsa më herët një deputet iranian e kishte cilësuar dokumentin më shumë si një listë dëshirash amerikane sesa një realitet.
Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë theksuar vijimin e bllokadës së tyre mbi Hormuz, njoftuan se kishin bombarduar një cisternë nafte iraniane që kishte tentuar të kalonte bllokadën e tyre.
Një marrëveshje paqeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u duk se mund të cenohej këtë të mërkurë nga Izraeli. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi rikthimin e sulmeve mbi Bejrutin, kryeqytetin e Libanit, duke deklaruar se kishin shënjestruar komandën e Hezbollahut, pavarësisht se mes palëve kishte një marrëveshje armëpushimi në fuqi.
Pasi Izraeli deklaroi se nuk ishte informuar mbi planet për paqe të Shteteve të Bashkuara me Iranin, por se po përgatiteshin për luftë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mohoi të tilla pretendime, duke thënë se Tel Avivi është në koordinim me Washingtonin dhe se ai bisedon në telefon çdo ditë me presidentin amerikan Donald Trump.
Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt, ka vijuar të mbetet e pazgjidhur për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mes palëve, veçanërisht lidhur me ambiciet bërthamore të Iranit dhe kontrollin e ngushticës së Hormuzit – një pikë strategjike që para luftës përpunonte rreth një të pestën e furnizimit global me naftë dhe gaz, transmeton abcnews.




