BallinaAtdheuKurti: Bekim Sejdiu mbetet kandidati ynë për president

Kurti: Bekim Sejdiu mbetet kandidati ynë për president

-

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Bekim Sejdiu mbetet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për president të Kosovës, pavarësisht tërheqjes së tij nga gara. Kurti ka kërkuar rinisjen e takimeve me partitë opozitare, ndërsa vendi ndodhet gjashtë ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të martën, më 30 shtator, se Bekim Sejdiu vazhdon të konsiderohet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, pavarësisht se vetë Sejdiu është tërhequr nga gara më 14 shtator.

“Sa i përket kandidatit, ne e kemi kandidatin. Kandidati është profesor Bekim Sejdiu nga marrëveshja”, tha Kurti në një konferencë për media.

LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kishin propozuar Sejdiun si kandidat të përbashkët më 31 gusht. Megjithatë, një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së u shprehën kundër kandidaturës së tij.

Sejdiu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-diplomat, njoftoi më 14 shtator se po tërhiqej nga gara, duke e lidhur vendimin me mungesën e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet politike.

Kurti e interpretoi tërheqjen e Sejdiut në kuadër të situatës së krijuar pas moszbatimit të marrëveshjes politike ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.

“Nga pikëpamja e Lëvizjes Vetëvendosje, ne kemi marrëveshje politike dhe unë besoj që duhet ta respektojmë atë”, tha Kurti, duke theksuar se partia e tij nuk ka propozuar një emër tjetër.

Megjithatë, kryeministri nuk sqaroi nëse ka zhvilluar bisedime me Sejdiun për mundësinë e rikthimit të tij në garë dhe nëse ai do të ishte i gatshëm të pranonte sërish kandidaturën.

Kurti kërkon takime të reja politike

Çështja e zgjedhjes së presidentit mbetet një nga sfidat kryesore institucionale në Kosovë.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 shtatorit, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Kurti tha se është në komunikim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, por bëri të ditur se nuk është takuar me ta më 29 dhe 30 shtator.

“Është e domosdoshme që të kemi takime të reja”, deklaroi Kurti, pa dhënë një datë konkrete për takimin e radhës.

Ai tha se ekziston vullneti për vazhdimin e dialogut politik dhe shprehu optimizëm se marrëveshja e arritur në Kuvend për deklaratën lidhur me gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë mund të shërbejë si bazë për bashkëpunim të mëtejshëm.

Deklarata e Kuvendit, e miratuar më 28 shtator, mori 99 vota për.

“Garanci nuk ka, por vullnetin e kam parë”, tha Kurti.

Ai kërkoi që bisedimet të zhvillohen ndërmjet liderëve të subjekteve politike dhe që rezultatet e tyre të bëhen publike.

PDK-ja kërkon ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Partia Demokratike e Kosovës e ka lidhur vazhdimin e diskutimeve për presidentin me nismën e saj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Pas takimit me Kurtin më 27 shtator, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se me kryeministrin nuk kishin diskutuar emra konkretë për presidentin.

Hamza kishte deklaruar se PDK-ja ishte e hapur për diskutime të tjera nëse do të procedohej iniciativa e saj ligjore.

Kurti, ndërkaq, mohoi se në takimet me PDK-në është diskutuar ndonjë marrëveshje për shkëmbim të mbështetjes politike.

“Nuk kemi diskutuar këmbim e shkëmbim as të pozicioneve, as të qëndrimeve”, tha ai.

Për nismën e PDK-së, e cila i është dërguar Qeverisë për mendim më 25 shtator, Kurti tha se vlerësimet juridike dhe financiare pritet të përfundojnë gjatë kësaj jave.

Sipas tij, Zyra Ligjore e Kryeministrisë ka kërkuar mendim nga Ministria e Drejtësisë dhe vlerësim financiar nga Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave.

Pas përfundimit të këtyre vlerësimeve, Qeveria pritet t’ia përcjellë përgjigjen Kuvendit.

Përplasjet rreth aktgjykimit të Speciales

Kurti përsëriti edhe kritikat e tij ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilin e ka cilësuar si të padrejtë.

Ai ka kërkuar një strategji të përbashkët shtetërore dhe angazhim të ekspertizës juridike në kuadër të procesit të apelit.

Ndërkohë, LDK-ja ka shprehur gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e çështjes së presidentit. Shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku, ka deklaruar se LDK-ja nuk është në pozitë të deklarohet pro ose kundër një kandidati të caktuar, por ka vullnet për të gjetur një zgjidhje.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar takimet me Kurtin për çështjen e presidentit. Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin se synon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Me përfundimin e afatit më 6 tetor gjithnjë e më shumë rritet presioni mbi partitë politike për të gjetur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe për të shmangur një tjetër krizë institucionale në Kosovë./REL/BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

JAVA E MIRËSEARDHJES PËR STUDENTËT E RINJ, 1 TETOR 2026

0
Të dashur studentë, Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2026/2027, Fakulteti Juridik i Universitetit “Haxhi Zeka” ju uron mirëseardhjen dhe ju fton...