POSTIMET E FUNDIT

Kriza për presidentin, Kurti paralajmëron zgjedhje të reja në mungesë të konsensusit

Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e presidentit të vendit do ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja, duke e thelluar më tej krizën politike në vend.

Kurti theksoi se zgjedhja e presidentit është thelbësore për funksionimin normal të institucioneve shtetërore, përfshirë qeverinë dhe Kuvendin. Sipas tij, afati kushtetues tashmë ka arritur në pikën përfundimtare dhe mungesa e një marrëveshjeje politike rrezikon të krijojë një vakum institucional. Në fjalën e tij, ai kritikoi ashpër partitë opozitare për mungesë të angazhimit në procesin e gjetjes së një kandidati të përbashkët. Kryeministri deklaroi se as Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk kanë paraqitur ndonjë emër apo iniciativë konkrete për postin e presidentit.

“Kompromentimi i procesit nuk mund të bëhet në kurriz të vullnetit qytetar,” u shpreh Kurti, duke shtuar se kompromisi në demokraci duhet të bazohet në respektin për rezultatin e zgjedhjeve dhe përgjegjësinë institucionale.

Ai gjithashtu bëri të ditur se ka ofruar bashkëqeverisje për LDK-në, duke përfshirë postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe katër ministri, por kjo ofertë është refuzuar. Sipas tij, kjo refuzim ka kontribuar në bllokadën politike që po vazhdon prej muajsh. Kurti akuzoi opozitën se e sheh kompromisin si një formë nënshtrimi të fituesit të zgjedhjeve, ndërsa shtoi se përpjekjet për të arritur marrëveshje kanë qenë të njëanshme. Ai theksoi se në takime me përfaqësuesit e opozitës, vetëm pala qeverisëse ka propozuar emra për diskutim. Në përmbyllje, kryeministri nënvizoi se dështimi për të zgjedhur presidentin nuk është vetëm një çështje politike, por një problem që prek drejtpërdrejt stabilitetin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve.

Me situatën aktuale pa një zgjidhje të dukshme, vendi mund të përballet sërish me një proces zgjedhor, duke e futur Kosovën në një cikël të ri politik me pasoja të paparashikueshme, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB