POSTIMET E FUNDIT

KQZ vazhdon regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës – mbi 21 mijë kërkesa të pranuara deri më 8 maj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës po vazhdon normalisht dhe do të mbetet i hapur deri më 17 maj 2026. Ky proces ka nisur më 6 maj dhe tashmë ka zgjuar interes të konsiderueshëm nga diaspora kosovare.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga KQZ, deri më 8 maj në orën 09:00 janë pranuar gjithsej 21,378 kërkesa për regjistrim për votim jashtë vendit. Nga këto aplikime, 9,149 janë aprovuar, 1,037 janë refuzuar, ndërsa 11,187 kërkesa mbeten ende në proces shqyrtimi.

Nga aplikimet e miratuara, 2,284 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike, 239 kanë zgjedhur opsionin e dërgimit të fletëvotimit në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa pjesa më e madhe, 6,626 votues, janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.

KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se ka miratuar paraprakisht listën e qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike, ku procesi i votimit pritet të mbahet më 6 qershor në 48 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 70 vendvotime, përfshirë 33 ambasada dhe 15 konsullata.

Sipas vendimeve të KQZ-së, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik në përfaqësi diplomatike është 66,450. Ky kufizim vlen vetëm për votimin fizik, ndërsa regjistrimi për votim me postë nuk ka kufi.

Në rast se arrihet numri maksimal i parashikuar për votim fizik, aplikuesit do të orientohen automatikisht drejt votimit përmes postës.

Po ashtu, KQZ ka përcaktuar se për organizimin e votimit fizik në një përfaqësi diplomatike nevojiten të paktën 50 votues të regjistruar. Në të kundërtën, votimi fizik nuk do të zhvillohet dhe votuesit do të kalojnë në votim me postë, për çka do të njoftohen nga institucionet përgjegjëse, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB