Përgatiti Dashnim HEBIBI
Në Bern pritet të zhvillohet një ngjarje e veçantë kulturore që i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kombëtare. Më 25 prill 2026, në ambientet e Kongresszentrum Allresto, do të prezantohet dokumentari “Kostume Popullore – Identitet Kombëtar”, një projekt që sjell në vëmendje rëndësinë e veshjeve tradicionale si simbol i identitetit shqiptar ndër shekuj, njofton helveticALForum.ch.
Ky aktivitet vjen si një ndërthurje e bukur mes traditës dhe krijimtarisë moderne. Krahas dokumentarit, dizajnerja Flora Balaj do të prezantojë dy dizajne të reja të frymëzuara nga motivet tradicionale, duke dëshmuar se trashëgimia kulturore mund të jetojë dhe të zhvillohet edhe në kohët moderne.

Programi përfshin gjithashtu kontribute të rëndësishme artistike dhe akademike. Dokumentari mban vulën krijuese të mjeshtrit Llesh Nikolla, ndërsa ligjërata do të mbahet nga akademiku Zymer Neziri, i cili do të trajtojë dimensionin historik dhe identitar të kostumeve popullore. Një tjetër moment i rëndësishëm artistik do të jetë paraqitja e “Malësorja e Deçanit” si dhe programi i pasur i përgatitur nga SH.K.A. Dardania Winterthur.
Ky event pritet të mbledhë bashkë dashamirës të kulturës shqiptare, artistë dhe komunitetin shqiptar në diasporë, duke e kthyer në një festë të vlerave dhe rrënjëve tona. Në një kohë kur globalizimi sfidon identitetet kombëtare, iniciativa të tilla shërbejnë si ura lidhëse mes brezave dhe si dëshmi e gjallë e pasurisë sonë kulturore. Prania e veprimtares Sibela Alimovska nga Maqedonia e Veriut i jep aktivitetit një dimension më të gjerë rajonal, duke theksuar bashkëpunimin kulturor ndërshqiptar dhe më gjerë. Organizatorët ftojnë të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë, ku tradita dhe bashkëkohorja takohen për të rrëfyer historinë tonë përmes artit, veshjes dhe kujtesës kolektive, transmeton helveticALForum.ch.




