POSTIMET E FUNDIT

Në “pusin e së shkuarës”…

Nga Aleksandër Çipa

Në “pusin e së shkuarës” (siç thotë Kundera), shkon shumëçka e kësaj jete ndër njerëz, madje edhe vetë njerëzit. Po a udhëtojmë “me etjen” dhe mendimin tonë për të, drejt “pusit të së ardhmes”?! Atje “biem” përditë dhe gjendemi. Pra, tek “pusi i së shkuarës”…

Në këtë cikël të “pus-kohës”, ku udhëtojmë mes dy kaheve ekzistenciale të jetës, ushqimi që nuk na e tret stomaku, por mendja dhe aftësia gjykuese si njerëz, është mendimi.

Këto orë dhe dy ditët e fundit, disa milionë shqiptarë ndanë ngushëllim dhe stigmatizim, idhullsi dhe vlerësim, fyerje dhe baltë virtuale, me ngasje nga ikja me humbje të fisme, si prej dallëndysheje, e profesor Rexhep Qoses. Në një mënyrë të tillë ndodhi edhe me Kadarenë…(Nuk e di, por ikje të tilla, në jetën e një kombi, të aktualizojnë refrenin kishtar: “Me vdekjen, vdekjen shkeli”)!!!

Hapësira aq e pafundme e internetit i jep gjithkujt mundësinë të shpërndajë fjalën e vet, në barazinë publike virtuale. Ndër të tjera, kjo është mundësia më maksimale që mendjet e molepsura të kenë lehtësinë për shpërndarjen e ndotjes, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Por, përballë vdekjes, të gjallët e mbetur do të duhej të vlerësonin kodin e çmimit dhe të vlerësimit të jetës.

Në “pusin e së shkuarës” bie krejt jeta e secilit, por në “pusin e së ardhmes” së secilit gjendet dhe besohet se lind shpresa dhe çmimi i natyrshëm vlerësues për jetën. Tek e fundit, historia e mendimit njerëzor (në të gjitha besimet dhe sipas të gjithë profetëve) i bën të fisme qytetërimet, pikërisht sepse çmojnë jetën, fuqinë dhe vlerën e mendimit si “karburant” për të ardhmen njerëzore. Mallkimet, por sidomos patologjitë, nuk janë civilizim, por, në mos vese, besoj sëmundje… natyrisht të shërueshme…! /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB