Nju Jork – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të Albanian American Relations Council (AARC), e cila u mbajt në Nju Jork në praninë e përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan, miqve të komunitetit dhe personaliteteve të shumta nga jeta publike. Në fjalën e tij, Konjufca vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar rolin e veprimtarëve, shoqatave dhe organizatave shqiptare që për dekada kanë punuar për çështjen shqiptare dhe për ndërgjegjësimin e institucioneve amerikane lidhur me Kosovën. Sipas tij, angazhimi i diasporës shqiptare në SHBA ka luajtur një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Gjatë fjalimit, Konjufca u ndal edhe te vendimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e cilësoi këtë vendim si një padrejtësi që, sipas tij, tejkalon fatin personal të të dënuarve dhe prek edhe kauzën e luftës për çlirim dhe liri.
Konjufca deklaroi se kjo, sipas tij, duhet të korrigjohet dhe se duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës së UÇK-së dhe e drejta e popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja. Një pjesë e fjalimit iu kushtua edhe zhvillimeve të brendshme në Kosovë. Zëvendëskryeministri theksoi rëndësinë e stabilitetit institucional dhe demokratik, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe reflektim, si dhe për vendosjen e interesit shtetëror e kombëtar mbi interesat e ngushta partiake. Ai tha se, në një periudhë sfidash, kohezioni kombëtar dhe funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve janë të rëndësishme për Kosovën.
Në fund të fjalës së tij, Konjufca falënderoi Albanian American Relations Council për angazhimin në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, si dhe për rolin që, sipas tij, organizata ka në ruajtjen dhe fuqizimin e lidhjeve të komunitetit shqiptar në SHBA me Kosovën dhe Shqipërinë. Gala Mbrëmja vjetore e AARC-së mblodhi në Nju Jork përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, mbështetës dhe figura publike, me fokus në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe rolin e diasporës në avancimin e tyre, transmeton rtk.










