Bavarezët e nisën sfidën në disavantazh, por reaguan shpejt dhe siguruan kualifikimin në raundin e dytë me një fitore të pastër 4-1. Harry Kane shënoi dy herë, ndërsa Olise dhe Bischof kompletuan suksesin e skuadrës së Vincent Kompany.
Bayerni i Mynihut e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën në Kupën e Gjermanisë. Kampionët në fuqi të kompeticionit triumfuan 4-1 në transfertë ndaj Osnabrück, në një sfidë që pavarësisht rezultatit të thellë nuk nisi aspak në mënyrën e parashikuar.
Vendasit befasuan bavarezët që në minutën e pestë, kur Meissner dërgoi topin në rrjetë dhe i dha Osnabrück avantazhin 1-0. Një start i papritur që detyroi skuadrën e Vincent Kompany të reagojë menjëherë.
Bayerni nuk vonoi dhe vetëm 13 minuta më pas riktheu baraspeshën. Ishte Harry Kane ai që mori përsipër të udhëhiqte reagimin e bavarezëve, duke shënuar për 1-1.
Pas golit të barazimit, Bayerni mori kontrollin e plotë të takimit. Në minutën e 24-t, Bischof përmbysi rezultatin dhe i dha skuadrës së Kompany avantazhin 2-1. Nga ky moment, bavarezët administruan lojën dhe krijuan gjithnjë e më shumë hapësira për të thelluar epërsinë.
Pas pushimit, Bayerni vazhdoi dominimin dhe në minutën e 73-të gjeti edhe golin e tretë. Michael Olise realizoi për 3-1, duke i dhënë më shumë qetësi skuadrës së tij dhe duke mbyllur praktikisht diskutimin për kualifikimin.
Por spektakli nuk kishte përfunduar ende. Në minutat e fundit, Harry Kane shënoi edhe një herë, duke kompletuar dygolëshin personal dhe duke vulosur fitoren 4-1 të Bayernit.
Kështu, kampionët në fuqi të Kupës së Gjermanisë kalojnë pa shumë probleme në raundin e dytë, pavarësisht startit të vështirë në transfertën ndaj Osnabrück.
Shorti për raundin e dytë do të hidhet më 5 shtator, ndërsa ky edicion i kompeticionit sjell edhe një risi historike. Për herë të parë, VAR-i do të përdoret në të gjitha ndeshjet e këtij raundi, duke sjellë një tjetër element të rëndësishëm në garën për trofeun transmeton tch.










