BallinaAtdheuKOMUNISTËT DHE ANTIKOMUNISTËT SHQIPTARË NË KOSOVË – HISTORIA NUK DUHET TË GJYKOHET...

KOMUNISTËT DHE ANTIKOMUNISTËT SHQIPTARË NË KOSOVË – HISTORIA NUK DUHET TË GJYKOHET ME SYZE IDEOLOGJIKE!

-

Nga Hajrush Behluli

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, shqiptarët e mbetur nën sundimin e Serbisë përjetuan ndër periudhat më të errëta të historisë së tyre. Dhuna shtetërore, dëbimet, kolonizimi, mohimi i identitetit kombëtar dhe mbyllja e shkollave shqipe ishin pjesë e politikës sistematike të Beogradit. Këto krime i dokumentuan edhe autorë të huaj, ndër ta Leo Freundlich, në veprën e tij për tragjedinë shqiptare.

Një kthesë në historinë e arsimit shqip u shënua gjatë administrimit austro-hungarez, kur u hapën shkolla në gjuhën shqipe. Pas Luftës së Parë Botërore, pushteti serb i mbylli përsëri ato dhe vazhdoi politikën e shtypjes deri në Luftën e Dytë Botërore.

Me ardhjen e administratës italiane dhe më pas gjermane, në pjesën më të madhe të Kosovës u hapën shkolla shqipe në përmasa të gjera. Për një popull që për dekada ishte privuar nga e drejta për t’u arsimuar në gjuhën e vet, kjo u përjetua si një çlirim kombëtar dhe si fillim i një emancipimi të shumëpritur.

Këtu duhet bërë një dallim historik: hapja e shkollave dhe përjetimi i saj si çlirim nga shqiptarët nuk e bën pushtimin fashist apo nazist një çlirim në kuptimin e mirëfilltë politik. Por as nuk mund të mohohet rëndësia që pati zhvillimi i arsimit shqip në atë periudhë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, komunistët shqiptarë, si pjesë e strukturave të pushtetit të ri jugosllav, morën drejtimin politik të Kosovës. Ata vazhduan zhvillimin e arsimit dhe të institucioneve, por brenda një sistemi ku vendimet për fatin e Kosovës përcaktoheshin nga Beogradi dhe udhëheqja komuniste jugosllave.

Duhet pranuar se pati kuadro shqiptare që punuan dhe kontribuuan sinqerisht në arsim, kulturë dhe zhvillimin institucional. Por kjo nuk e ndryshon pyetjen themelore: çfarë qëndrimi mbajti udhëheqja komuniste shqiptare ndaj të drejtës së Kosovës për vetëvendosje?

Rezoluta e Bujanit e vitit 1943-1944, e cila shprehte vullnetin për bashkim me Shqipërinë, u pasua nga një kthim prapa politik. Kosova mbeti nën Jugosllavi, ndërsa shqiptarët vazhduan të përballeshin me represion, dhunë dhe diskriminim. Në vitin 1945, gjendja arriti deri te shtypja e përgjakshme e kundërshtimit shqiptar ndaj ripushtimit jugosllav.

Dhe këtu qëndron dallimi që sot nuk duhet ta anashkalojmë.

Kontributi në arsim dhe zhvillim shoqëror është një meritë që duhet njohur, pavarësisht bindjeve politike. Por asnjë meritë institucionale nuk mund të përdoret për ta fshirë përgjegjësinë politike ndaj çështjes kombëtare.

Sot po shohim një tendencë për t’i ngritur në piedestal kuadrot komuniste shqiptare, duke i paraqitur pothuajse si çlirimtarë të Kosovës, ndërsa lëvizjet antikomuniste, rezistencën kombëtare dhe përpjekjet për liri po lihen në hije.

Kjo është një qasje e njëanshme ndaj historisë.

Nuk mund të krahasohet një veprimtari politike që e pranonte Kosovën si pjesë të federatës jugosllave me një veprimtari që kërkonte shkëputjen nga Serbia dhe realizimin e të drejtës për liri e vetëvendosje.

Natyrisht, as antikomunistët nuk kanë qenë të gjithë të njëjtë dhe jo secili që e kundërshtonte komunizmin kishte domosdoshmërisht të njëjtin vizion për Kosovën. Por shumë prej tyre e kishin të qartë se çështja shqiptare nuk mund të zgjidhej brenda një Jugosllavie të dominuar nga Serbia.

Nuk duhet të kërkojmë që historia të dënojë të gjithë komunistët dhe të shpallë të gjithë antikomunistët heronj. Por duhet të kërkojmë vetëm një standard të drejtë: secilin ta gjykojmë sipas veprave, qëndrimeve dhe qëllimeve të tij kombëtare.

Kosova nuk u bë e lirë si dhuratë e komunizmit jugosllav. Liria e saj ishte rezultat i një përpjekjeje të gjatë kombëtare, i sakrificave të brezave dhe i luftës çlirimtare.

Historia nuk është pronë e asnjë partie, ideologjie apo brezi. Dhe aq më pak duhet të bëhet instrument për rehabilitimin politik të së kaluarës.

Sepse një popull që nuk e ndan drejt historinë e vet, rrezikon t’i ngatërrojë edhe vlerat e së ardhmes sepse nesër nipi im Progoni dhe gjenerat e tij do të kërkojnë t’a din të vërtetën.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kosova e do BE-në, por është ende larg “provimit pranues”!

0
Nga: Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën nuk duhet kuptuar vetëm si një dokument teknik që mat përmbushjen...