Kërkesat për azil në BE në gjysmën e parë të vitit 2026 ishin në nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit, në vazhdimësi të një tendence në rënie që rezulton nga ashpërsimi i politikës europiane të migracionit, siç janë rregullat e reja, sipas të cilave shtetet anëtare mund të ngrenë qendra kthimi në vende të treta, ku dërgohen azilkërkuesit të cilëve iu refuzohen kërkesat, siç ishte edhe rasti i atyre të ngritura në Shqipëri nga Italia.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Europiane për Azilin, vendet e BE-së, plus Zvicra dhe Norvegjia, morën 332 mijë aplikime për mbrojtje ndërkombëtare gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, një shifër kjo 17 për qind më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Agjencia vë në dukje faktin se një faktor kryesor i rënies së numrit të aplikimeve ishte tranzicioni politik në Siri, i cili ka rezultuar në një ulje të ndjeshme të numrit të kërkesave për azil nga shtetasit e atij vendi, si dhe përpjekjet e BE-së për të bashkëpunuar me vendet e origjinës dhe të tranzitit.
Brukseli ka arritur së fundmi marrëveshje me vende të Afrikës së Veriut, si Tunizia dhe Mauritania, për t’u siguruar ndihma dhe investime në këmbim të ndihmës për parandalimin e migracionit të jashtëligjshëm.
Marrëveshjet me vende fqinje, si Turqia dhe Serbia, kanë rezultuar në një rënie prej 55 për qind të kalimeve të jashtëligjshme kufitare gjatë dy viteve të fundit.
Ndërkohë, lufta në Lindjen e Mesme nuk është përkthyer në një rritje të kërkesave për azil nga shtetasit e vendeve të prekura nga ajo luftë, theksoi Agjencia Europiane për Azilin, e cila ndërkohë vuri në dukje faktin se numri më i madh i kërkesave për mbrojtje, rreth 39 mijë të tilla, kishte ardhur nga shtetas afganë, për t’u pasuar nga venezuelianët dhe bangladeshasit.
Vendet që morën më shumë aplikime për azil ishin Franca, me numrin më të lartë të tyre, rreth 69 mijë, e pasuar nga Italia me 66 mijë, Spanja me 55 mijë dhe Gjermania, po me 55 mijë aplikime për azil, transmeton rtsh.










