Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se më 14 gusht 2026 ka nënshkruar me kompaninë JSC ESM kontratë trevjeçare për shitjen e qymyrit, me vlerë që mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro, duke theksuar se kjo marrëveshje paraqet një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas njoftimit të KEK-ut, kontrata është nënshkruar më 14 gusht 2026.
KEK-u ka bërë të ditur se një nga elementet kryesore të kontratës është çmimi prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, i cili do të mbetet i pandryshuar gjatë gjithë periudhës 36-mujore.
“Kjo u garanton të dyja palëve siguri dhe stabilitet afatgjatë, duke reduktuar ekspozimin ndaj luhatjeve dhe pasigurive të tregjeve ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Sipas Korporatës, vlera e përgjithshme e kontratës, bazuar në sasinë e paraparë, mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro.
KEK-u ka thënë se marrëveshja paraqet mundësi për sigurimin e të hyrave të qëndrueshme, planifikimin më të mirë të prodhimit dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve minerare.
Në njoftim bëhet e ditur se KEK-u nuk do të ketë obligime për eskavimin, transportin e qymyrit apo operacionet e tjera logjistike për tërheqjen e tij.
“Të gjitha këto përgjegjësi do t’i bartë blerësi, JSC ESM, ndërsa KEK-u do t’i inkasojë mjetet drejtpërdrejt nga kjo kompani për sasinë e qymyrit të tërhequr”, ka njoftuar KEK-u.
Sipas Korporatës, marrëveshja vjen në kohën kur KEK-u është duke realizuar investime kapitale në rehabilitimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike. KEK-u ka bërë të ditur se të hyrat nga shitja e qymyrit do të kontribuojnë në mbulimin e kostove operative dhe kapitale, ndërsa një pjesë do të orientohet në modernizimin e infrastrukturës së Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.
Në njoftim theksohet se kjo është hera e parë që KEK-u realizon një kontratë të drejtpërdrejtë të këtij lloji me një kompani tjetër publike energjetike, JSC ESM.
Sipas KEK-ut, në të kaluarën kontratat janë lidhur me operatorë ekonomikë privatë që kanë shërbyer si ndërmjetësues, ndërsa përdoruesi përfundimtar i qymyrit ka qenë JSC ESM.
“Përmes kësaj marrëveshjeje të drejtpërdrejtë, KEK-u ka arritur të eliminojë ndërmjetësimin dhe të maksimizojë çmimin dhe përfitimet, duke ia shitur qymyrin drejtpërdrejt shfrytëzuesit përfundimtar”, thuhet në njoftim./BS










