POSTIMET E FUNDIT

Ivanka Trump: Sazani, një projekt i jashtëzakonshëm

“Po punojmë me arkitektë të mëdhenj. Do të ruajmë natyrën.”

Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, e ka konsideruar një projekt të jashtëzakonshëm dhe me përmasa të mëdha atë që parashikohet të ngrihet në ishullin e Sazanit.

“Po punoj me bashkëshortin tim për një projekt të jashtëzakonshëm në Mesdhe. Është një projekt me përmasa gjigante, madje mendoj se edhe kjo është pak ta thuash. Është një ishull privat me sipërfaqe 1400 hektarë në zemër të Mesdheut”. Në një intervistë për një podcast amerikan, ajo rrëfeu edhe impaktin që pati kur pa për herë të parë ishullin e pabanuar.

“Ishim në varkën e një miku dhe ndaluam për të notuar. Në fakt, kështu e zbuluam. Notuam drejt ishullit, u ngjitëm zbathur deri në majë dhe mbetëm të mahnitur. Ai vend na ka mbetur në mendje që prej asaj dite”.

Ivanka Trump thotë se projekti i zhvillimit ka prioritet ruajtjen e mjedisit duke mos cenuar panoramën e natyrës.

“Me kalimin e viteve krijuam mundësinë për të ndihmuar në realizimin e potencialit të tij dhe për ta transformuar, por me shumë kujdes dhe përmbajtje, sepse toka është aq e bukur sa arkitektura duhet të integrohet plotësisht me të, pothuajse të lindë prej saj. Përveç ishullit, kemi edhe rreth pesë milje vijë bregdetare përballë tij, një gadishull të mrekullueshëm me lagunë në njërën anë dhe det në anën tjetër, me plazhe të bukura me rërë të bardhë”.

Ajo ka rrëfyer vizionin që ka për transformimin e ishullit dhe punën që po bëhet me arkitektët.

“Sapo isha atje duke ecur nëpër terren, duke u përpjekur ta përjetoja vendin së bashku me disa prej arkitektëve më të mëdhenj të kohës sonë, mjeshtër të vërtetë të profesionit të tyre, njerëz me integritet. Jemi shumë të emocionuar për këtë projekt”.

Ajo rrëfeu se po përpiqet të njohë edhe kulturën shqiptare.

“Po lexoj shkrimtarët më të mirë shqiptarë dhe po përpiqem ta kuptoj vendin përmes syve të tyre. Letërsi artistike, libra, gjithçka. Zhytesh në përvojën dhe realitetin e jetuar që këta vëzhgues të mëdhenj të së vërtetës arrijnë të përcjellin dhe kështu afrohesh më shumë me vendin. Nuk mund të imponohesh mbi një vend apo një kulturë. Duhet fillimisht ta kuptosh atë, në mënyrë që të bësh diçka në një mënyrë të bukur, delikate dhe me kuptim. Kjo është qasja që kam ndaj gjithçkaje”.

Ivanka Trump e ka vizituar disa herë Vlorën ku ka zhvilluar takime me arkitektë, ndërsa ka parë nga afër edhe ishullin e Sazanit dhe plazhin e Zvërnecit, transmeton tvklanal.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB