POSTIMET E FUNDIT

Instituti Shkencor Helvetik (Zvicër) përkujton me nderim Akademik Rexhep Qosja

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit të nderuar akademik Rexhep Qosja. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, miqtë dhe kolegët për ndarjen nga jeta e akademikut të shquar shqiptar Rexhep Qosja. 

I dashur Profesor, nuk ke vdekur – ke ndërruar jetë, por vepra dhe mendimi yt do të jetojnë përherë. Të kujtoj me mall dhe me gjithë shpirt. Kam pasur nderin të jem pranë teje, të jap një provim dhe të dëgjoj fjalët e tua të vyera, të cilat nuk do t’i harroj kurrë – veçanërisht vlerësimin tënd për Luginën e Preshevës dhe për intelektualët, miqtë e tu të asaj kohe, që ishin dhe mbeten frymëzim për brezat e rinj.

Ishe i veçantë. I përkryer në mendim, i palëkundur në qëndrim dhe i madh në përkushtim ndaj kombit dhe dijes. Ishte mendimtari më i madh dhe shkencëtar, me plot kuptimin e fjalës, një figurë madhore e kulturës dhe shkencës shqiptare. Profesor Qosja është autor i mbi tridhjetë veprave me studime për letërsinë dhe kritikën letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, si dhe publicistikë e shkrime polemike. Ai botoi një numër të madh recensionesh, artikujsh, trajtesash e studimesh në revista shkencore e letrare, duke trajtuar çështje thelbësore të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, duke e bërë atë një nga mendimtarët më të shquar shqiptarë të shekujve XX–XXI. 

Kur e pata njoftuar profesorin Qosja për themelimin e institutit, ai u gëzua shumë dhe kurrë nuk do t’i harroj fjalët e tij:

“Është e vështirë, por mos u dorëzo. Është më e lehtë sigurisht në Zvicër të bëhesh milioner me një biznes sesa të hapësh një tempull të dijes.”

Screenshot

Unë ende nuk jam as milioner dhe as nuk e kam realizuar plotësisht tempullin e dijes, por nuk do të dorëzohem. Synimi im është që në Zvicër të kemi një tempull të dijes në gjuhën shqipe, sepse tashmë kemi arritur deri te gjenerata e katërt dhe kjo mërgatë e meriton. Gjithashtu, shprehim mirënjohje të thellë për shtetin zviceran dhe popullin e tij për mbështetjen që na kanë dhënë në themelimin e këtij institucioni në organet përkatëse. Jam rritur me librat e tu dhe do të mbetesh i përjetshëm në zemrat e çdo shqiptari. Në emrin tim personal dhe në emër të Institutit Shkencor Helvetik të për Evropës Juglindore (Zvicër), shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe mbarë kombin shqiptar kudo që ndodhet.

I përjetshëm qoftë kujtimi yt. Lavdi jetës dhe veprës !

Me respekt të thellë,

PhD. Dashnim HEBIBI

Foto kujtimi gjatë një takimi në Prishtinë

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB