Kryetarja në detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kroacisë në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Kroacisë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Haxhiu vlerësoi marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, duke theksuar se shteti kroat ka qenë një mik i qëndrueshëm dhe mbështetës i Kosovës në periudha të rëndësishme historike.
Ajo kujtoi mbështetjen e Kroacisë në kohët kur Kosova kishte nevojë për aleatë, njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe përkrahjen e vazhdueshme në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
“Kroacia ka qenë pranë Kosovës në kapituj të ndryshëm të historisë sonë dhe kjo miqësi vazhdon të forcohet çdo ditë”, theksoi Haxhiu.
Duke folur për lidhjet historike dhe njerëzore mes dy popujve, ajo përmendi dijetarin kroat Milan Šufflay dhe kontributin e shqiptarëve në Kroaci ndër vite. Haxhiu veçoi komunitetin e Arbëneshëve të Zarës, si dhe figura të njohura shqiptare që kanë dhënë kontribut në jetën publike kroate.
“Mes Arbëneshëve të Zarës, shërbyesve publikë si Ermina Lekaj Prljaskaj dhe futbollistëve si Ardian Kozniku e Kujtim Shala, shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Kroaci në histori, në parlament dhe në futboll”, deklaroi ajo.
Në fund, Haxhiu falënderoi ambasadoren kroate për angazhimin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe, në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, përcolli urimet për popullin kroat me rastin e festës kombëtare, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej, transmeton rtk.




