Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 07:00, janë hapur të gjitha pikat e votimit në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës për qytetarët e regjistruar për votim jashtë vendit.
Përmes një njoftimi zyrtar, MPJD ka ftuar të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar për të votuar në diasporë, të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
“Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është një kontribut i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit tonë”, thuhet në thirrjen e Ministrisë drejtuar bashkatdhetarëve.
MPJD theksoi se, në koordinim të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të votimit në të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës.
Institucioni ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës, duke vlerësuar rolin e saj të rëndësishëm në zhvillimin demokratik dhe shtetëror të Republikës së Kosovës.
Procesi i votimit në diasporë konsiderohet një element i rëndësishëm i pjesëmarrjes qytetare, duke u mundësuar qytetarëve që jetojnë jashtë vendit të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes demokratike në Kosovë, transmeton helveticALForum.ch.




