Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë në Samitin Financiar të Budapestit 2026, i zhvilluar në kryeqytetin hungarez nën temën “Bankingu Qendror në një Botë të Fragmentuar”. Pjesëmarrja e Guvernatorit Ismaili në këtë forum ndërkombëtar është bërë me ftesë të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Hungarisë (Magyar Nemzeti Bank), z. Mihály Varga. Samiti ka mbledhur përfaqësues të institucioneve financiare dhe bankave qendrore për të diskutuar zhvillimet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi financiar në një periudhë të ndryshimeve të shpejta në ekonominë globale.
Gjatë qëndrimit në Budapest, Guvernatori i BQK-së është mirëpritur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Hungari nga Ambasadori i Kosovës, z. Delfin Pllana.
Sipas informacioneve të bëra publike, takimi në Ambasadë u fokusua në zhvillimet në sektorin financiar, si dhe në rolin e institucioneve financiare të Republikës së Kosovës në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Takimi ndërmjet drejtuesve të institucioneve kosovare në Budapest përbën gjithashtu një mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve lidhur me zhvillimet ekonomike dhe financiare, si dhe me rëndësinë e bashkëpunimit institucional në funksion të avancimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.
Pjesëmarrja e BQK-së në Samitin Financiar të Budapestit vjen në kuadër të kontakteve dhe bashkëpunimit të bankës qendrore me institucione homologe dhe organizata financiare ndërkombëtare, transmeton helveticALforum.ch.










