Një mbrëmje madhështore me program artistik, me këngë, valle, traditë dhe artistë të njohur shqiptarë, kushtuar Festës së Flamurit dhe 32-vjetorit të Shoqërisë Kulturore-Artistike “Dardania”.
Më 28 nëntor 2026, në qytetin e Winterthurit të Zvicrës, Shoqëria Kulturore-Artistike “DARDANIA” do të organizojë një mbrëmje të veçantë festive, kushtuar Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 32-vjetorit të themelimit të saj. Kjo festë nuk është vetëm një përvjetor në kalendarin e aktiviteteve kulturore të mërgatës shqiptare. Ajo është një dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar, larg vendlindjes. E themeluar në vitin 1994 në Winterthur, “Dardania” ka përshkuar një rrugëtim 32-vjeçar të mbushur me aktivitete, koncerte, festivale dhe paraqitje artistike, duke përcjellë brez pas brezi vlerat e pasura të trashëgimisë sonë kulturore. Në këtë përvjetor jubilar, shoqëria do të paraqitet para publikut me një program të pasur artistik, ku kënga dhe vallja shqiptare do të ndërthuren me interpretimin skenik dhe muzikën tradicionale.

Një vend të veçantë në program do të zërë pjesa artistike “Dasma e Pavarësisë”, një krijim skenik që përmes këngës, valles dhe veprimeve dramatike pasqyron dashurinë, qëndresën, sakrificën e UÇk-ës dhe gëzimin e lirisë. Në qendër të saj është historia e dy të rinjve, Ilirit dhe Lules, të cilët përmes një rrëfimi simbolik përjetojnë ndarjen e dhunëshme, luftën dhe ribashkimin, duke e shndërruar dasmën në një metaforë të lirisë dhe bashkimit kombëtar. Programin festiv do ta pasurojnë edhe artistë e interpretues të njohur. Aktori i mirënjohur Fatmir Spahiu-Bufi do të jetë në rolin e moderatorit të mbrëmjes, duke sjellë përvojën dhe individualitetin e tij artistik para publikut. Këngëtari Eroll Ahmeti do të interpretojë muzikë live, ndërsa Kori i Grave “Lyra” nga Zürichu do t’i japë festës një dimension të veçantë përmes interpretimit koral. Atmosferën tradicionale do ta plotësojë Naser Zeqiri me grupin e tij, me tingujt karakteristikë të muzikës sonë burimore.
Në këtë mbrëmje, përmes interpretimit të valltarëve dhe artistëve të “Dardanisë”, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një udhëtim nëpër traditat dhe historinë tonë kombëtare.
Për 32 vjet me radhë, “Dardania” ka qenë më shumë se një shoqëri kulturore. Ajo ka qenë një vatër e bashkimit të shqiptarëve, një hapësirë edukimi për brezat e rinj dhe një urë lidhëse ndërmjet vendlindjes dhe mërgatës.
Prandaj, festa e këtij 28 Nëntori është njëkohësisht festë e flamurit, e kulturës dhe e gjithë atyre brezave që kanë kontribuar në ruajtjen e traditës shqiptare në Zvicër.
Mbrëmja festive do të mbahet të shtunën, më 28 nëntor 2026, në Aula të Kantonsschule Rychenberg, Rychenbergstrasse 110, 8400 Winterthur.
Dyert hapen në orën 19:00, ndërsa programi festiv fillon në orën 20:00.
Organizatorët ftojnë të gjithë bashkatdhetarët, familjet shqiptare, miqtë dhe dashamirët e kulturës sonë që të bëhen pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë.
Le ta festojmë së bashku 28 Nëntorin, duke nderuar historinë, duke ruajtur traditën dhe duke përcjellë te brezat e rinj dashurinë për kulturën dhe identitetin tonë kombëtar pa asnjë obligim financiar, por falë kontributit vulnetar të anëtarëve, dhe sponsorëve tanë, ne mbesim shoqëri pa interesa financiare, andaj ejani sepse te ne nuk ka as hyrje as shitje të ushqimeve,
Thjesht festojm shqip!
SH.K.A. “DARDANIA” – Winterthur










