“Ka qenë thjesht rastësi që në atë kohë isha në rrugë”, rrëfen 38-vjeçari Rrustem Hysenaj, i cili herët në mëngjesin e së hënës po nisej për në punë në Aarau të Zvicrës. Për shkak të problemeve në një kantier ndërtimi, ai kishte vendosur të fillonte punën më herët se zakonisht, shkruan Blick, përcjell “Bota sot”. Rreth orës 05:30, pranë parkut në Mühlemattstrasse, ai ndalohet nga një burrë rreth të 30-ave, i cili në panik i tregon se gjatë shëtitjes së mëngjesit me qenin e tij kishte gjetur një person të rënë në lumin Aare. “Më tha se kishte arritur ta nxirrte pjesërisht në breg, por nuk mund ta shpëtonte i vetëm. Personat e tjerë që i kërkoi ndihmë nuk u ndalën fare”, tregon Hysenaj.
Fillimisht ai hezitoi. “Mendova se mund të ishte një kurth, ndoshta dikush po më çonte në një situatë rreziku.” Por më pas e ndoqi të panjohurin drejt errësirës, përgjatë shtegut pranë lumit. Aty u përball me një situatë të rëndë: një burrë 71-vjeçar qëndronte në ujë, i kapur pas një shtylle dhe duke u dridhur nga i ftohti. Temperatura e ujit ishte rreth 15 gradë Celsius. Me ndihmën e të riut që e kishte gjetur, Hysenaj arriti ta nxirrte të moshuarin nga uji, duke e tërhequr me vështirësi nga një pjerrësi rreth dy metra e lartë.
Shërbimet e emergjencës dhe policia tashmë ishin njoftuar. Dy burrat e vendosin 71-vjeçarin në pozicion stabil dhe i japin ndihmën e parë. “Ishte i lagur plotësisht, i rraskapitur dhe dridhej në gjithë trupin, por ishte i kthjellët”, kujton Hysenaj. Ai thotë se i moshuari i kishte treguar se kishte rënë në lumë rreth orës 04:45 dhe kishte qëndruar aty për rreth 45 minuta.
Pavarësisht lëndimeve në gjunjë dhe bërryla, gjendja e tij ishte stabile deri në mbërritjen e ekipeve të shpëtimit. Rasti po hetohet për të sqaruar rrethanat se si ai përfundoi në ujërat e Aares. /BS




