Nga Andin Hoti, Ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare në Republikën e Kosovës
28 shtator 1994.
Për herë të fundit isha në një sallë gjyqi. Atë ditë dënohej babai im, Ukshin Hoti.
16 shtator 2026.
Gati 32 vjet më vonë, hyj përsëri në një sallë gjyqi.
Atëherë, regjim serb po dënonte babin për bindjet dhe veprimtarinë e tij politike e kombëtare.
Sot, po gjykohet një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë – Ushtria Çlirimtare e Kosovës që i priu luftës për liri.
Nga Ukshin Hoti, i burgosur dhe i dënuar nga regjimi serb për veprimtarinë e tij politike e kombëtare, te drejtuesit e UÇK-së që sot përballen me drejtësinë në Hagë, një gjë mbetet e pandryshuar: Kosova nuk ka ardhur si dhuratë.
Liria jonë është paguar me burg, me përndjekje, me gjak, me jetë dhe me sakrificë.
Prandaj, sot jam këtu si qytetar i një Republike të lirë, që e di mirë çmimin e kësaj lirie.
Historia e Kosovës mund të vihet në bankën e të akuzuarve.
Mund të sfidohet. Mund të shtrembërohet. Mund të tentohet të rishkruhet.
Por ajo nuk mund të zhbëhet.
Sepse verdikti më i madh për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është vetë Kosova e lirë.
Gati 32 vjet më vonë, përsëri në një sallë gjyqi. Përsëri për Kosovën.
Dhe ka diçka thellësisht paradoksale në këtë ditë.
Ndërsa unë jam në Hagë, në një sallë gjyqi ku po trajtohet lufta e fundit e Kosovës, po në Hagë ndodhen edhe mostrat e eshtrave të nxjerra vetëm pak javë më parë nga Kalludra dhe Jabuka. Mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, intelektual, doktor, profesor e inxhinier, presin që ADN-ja t’ua kthejë emrin dhe familjeve të tyre një përgjigje pas më shumë se 27 vjetësh.
Në të njëjtin qytet: një sallë gjyqi për luftën e Kosovës dhe një laborator ku eshtrat e viktimave të asaj lufte nga Serbia ende presin të identifikohen. Ky është paradoksi i rëndë i historisë sonë.









