Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar vendimin për shpalljen e fshatit Vuno pasuri kulturore të paluajtshme, me kategorinë “Qendër Historike”, si dhe për përcaktimin e zonës së tij të mbrojtur.
Sipas vendimit, zona e Qendrës Historike të fshatit Vuno përcaktohet në bazë të hartave të zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), të cilat i bashkëlidhen vendimit.
Krahas shpalljes së Qendrës Historike, Qeveria e Shqipërisë ka miratuar edhe planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e saj, si dhe të zonës së mbrojtur përreth.
Me vendimin e ri shfuqizohet vendimi nr. 30, i datës 20 janar 2016, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Vuno dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj dhe të zonës së mbrojtur përreth”.
Vendimi ngarkon Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor me publikimin e hartave të Qendrës Historike dhe zonës së mbrojtur në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkia Himarë.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, transmeton atsh.










