POSTIMET E FUNDIT

Frutat e Shkretëtirës: Një Himn për Nënën dhe Atdheun

Nga Angela KOSTA, Itali

Në librin e tij poetik I FRUTTI DEL DESERTO – FRUTAT E SHKRETËTIRËS, botuar së fundmi në Itali, poeti kosovar Dardan Berisha, (të cilin pata nderin ta përkthej), u sjell lexuesve tokën e tij “të egër”, por po aq të mrekullueshme dhe të dashur, rrënjët e atdheut të tij, zakonet, traditat dhe mbi të gjitha vuajtjen e madhe, mundimin e një populli të tërë, i goditur nga represioni serb, i cili synonte gjenocidin e kësaj toke, të pasur jo vetëm me miniera, por edhe me histori, rezistencë dhe qëndresë. Të gjitha poezitë e Dardanit përshtrihen mbi një telajo me mijëra ngjyrash, ku autori zgjedh me kujdes metaforat dhe figurat retorike, të pasura me figura mitologjike, si dhe heroina legjendare që kanë lënë një gjurmë dhe vlerë të paçmueshme në faqet epokale të Kosovës. Në qendër të kësaj vepre gjejmë figurën epike dhe hyjnore të Nënës, të paraqitur dhe personifikuar si: grua, bashkëshorte, bijë dhe motër. “Mos ngrini kurrë dorë mbi nënën”, jehon autori, duke vendosur mbi gjithçka atë që gjeneron dhe rigjeneron jetën e vetë njeriut, femrën në përgjithësi, sepse pa të jeta nuk do të na përkiste.

Shumë i thellë meditimi dhe dëshira për të respektuar me përulësi dhe dashuri pikërisht Nënën, Bashkëshorten, Bijën dhe Motrën. Asgjë nuk mund ta qetësojë shpirtin e poetit, i cili rikthen dhe evokon harresën e epokës kur jetonte në mjerim, e megjithatë ushqehej nga dashuria dhe ngrohtësia e madhe në gjoksin e nënës, e cila e dëshpëruar nuk dinte çfarë të vendoste në tenxhere, ndaj e “mashtronte” urinë e fëmijëve duke zier gurë, me shpresën dhe lutjen që ata të mos zgjoheshin. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse realiteti dhe e vërteta e hidhur, një pamje e tmerrshme në mendje, uria e pranishme në barkun e tij kurrë të ngopur, varfëria e përjetuar mbi lëkurën e vet. Megjithatë, nëna martire triumfon mbi të gjitha këto, shkel mbi dinjitetin e saj për hir të fëmijëve, arrin t’i mbajë pranë vetes, duke pasur frikë për jetën e tyre, sepse ajo e di se armiku nuk është uria që gjëmon në zorrët bosh të krijesave të saj, por ai që troket në derë për t’i copëtuar pa mëshirë.

Autori Dardan Berisha “lufton” dhe i jep zë edhe lirisë së gruas në ditët e sotme. Përmes vargjeve të tij, ai vetë “dënon” ata që barbarisht keqtrajtojnë atë që është e brishtë dhe e pambrojtur. Shumë ironik është përshkrimi i tij ndaj atyre që ndihen burra përballë këtyre që nuk munden dhe nuk arrijnë të ngrenë zërin, duke pësuar poshtërime dhe plagë në shpirt e në trup. 

Të gjithë dashurinë që ekziston në këtë botë ndaj gruas, kushdo qoftë ajo, autori Berisha e përcjell në vargjet e tij me shumë përkujdesje dhe mirënjohje. “Shumë e padrejtë jeta”, thotë në një moment poeti, duke mbyllur perden e mizorive ndaj keqtrajtimit të nënave, grave, bashkëshorteve dhe motrave, si edhe ndaj gjithçkaje që populli i tij ka përjetuar nga ata që donin t’i shkelin dhe t’i mohonin dinjitetin, flamurin dhe gjuhën.

I uroj Dardan Berishës që ky libër të arrijë në duart e shumë lexuesve italianë, ashtu si edhe shumë vepra të tjera të tij në të ardhmen.

Libri përmban edhe notën kritike të Mark Simonit si dhe analizën e Dr Pier Carlo Lava.

Libri është i disponueshëm në platformën e fuqishme Amazon.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB