Alban Rrustemi i filloi studimet në FSHMN, në drejtimin e matematikës aplikative, në vitin 1998. Për shkak të luftës, procesi mësimor në UP u ndërpre gjatë një periudhe të vitit 1999, kur Albani ishte në vit të parë. Me mbarimin e luftës, krahas studimeve në FSHMN, Albani punoi në organizata ndërkombëtare në Kosovë dhe e sprovoi veten me sukses. Ai u dallua për arritjet e larta në studime si dhe në punë. Pas diplomimit, ai i vijoi studimet e shkencës kompjuterike në Universitetin e Kembrixhit, ku përsëri u shqua dhe magjistroi (2004) e doktoroi (2009) me sukses.
Karriera e Albanit është tejet mbresëlënëse. Vullnetin e tij ndërmarrës e vuri në praktikë duke bashkëthemeluar një kompani softuerike në Angli, e cila u shit në 2024. Ai ka punuar edhe për kompaninë Microsoft. Në Google ka më shumë se 10 vjet që punon dhe tash është inxhinier i lartë në Google DeepMind, laboratorin e famshëm të inteligjencës artificiale me seli në Londër, ku ka qenë menaxher i lartë, ka qenë i përfshirë në disa prej projekteve kyçe si dhe ka kontribuar në disa punime akademike. Krahas angazhimeve në Angli, Albani e ka vazhduar mbështetjen e tij për UP-në dhe kohë pas kohe ka mbajtur ligjërata ose seminare. Ai i ka dhënë një ndihmë të konsiderueshme edhe komunitetit të matematikanëve në Kosovë si dhe studentëve nga Kosova. Rrugëtimi i Albanit është i jashtëzakonshëm dhe inspirues për studentët tanë. Nga Prishtina në Kembrixh e Londër, në majat e teknologjisë e cila po e revolucionalizon botën e sotme. FSHMN krenohet me ish-studentin e vet, Dr. Alban Rrustemi, dhe i shpreh mirënjohje e i dëshiron shumë suksese!, transmeton UP, përcjell helveticALforum.ch.










