BallinaAtdheuMbi 50 milionë euro mish nga Brazili, Kosova përballet me varësinë nga...

Mbi 50 milionë euro mish nga Brazili, Kosova përballet me varësinë nga importi

-

BE-ja kufizon nga 3 shtatori disa eksporte braziliane me origjinë shtazore, ndërsa Shqipëria paralajmëron masa të ngjashme. Kosova ende nuk ka bërë të ditur nëse do të ndërmarrë hapa të tillë.

Kosova ka importuar mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe mish pule nga Brazili vetëm gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, duke e bërë këtë shtet furnizuesin kryesor të tregut kosovar me produkte të tilla.

Por në kohën kur varësia nga importet vazhdon të jetë e lartë, Bashkimi Evropian pritet të vendosë kufizime për një pjesë të produkteve braziliane me origjinë shtazore. Masat do të hyjnë në fuqi më 3 shtator dhe lidhen, ndër të tjera, me rregullat evropiane për përdorimin e produkteve antimikrobiale te kafshët që përfundojnë në zinxhirin ushqimor.

Sipas rregullave të BE-së, kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore të importuara nga vendet e treta nuk duhet të vijnë nga kafshë të trajtuara me produkte antimikrobiale me qëllim të nxitjes së rritjes apo rritjes së prodhimit.

Shqipëria paralajmëron masa, Kosova hesht

Shqipëria ka njoftuar se do të zbatojë masa të ngjashme nga e njëjta datë. Në anën tjetër, institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të ndërmarrin masa ndaj importeve braziliane.

Për këtë çështje, Ministria e Bujqësisë është kontaktuar nga RTK, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka dhënë përgjigje.

Mungesa e një qëndrimi institucional ka ngritur pikëpyetje lidhur me mënyrën se si Kosova do ta menaxhojë sigurinë ushqimore dhe kontrollin e produkteve me origjinë shtazore, sidomos duke pasur parasysh vlerën e lartë të importeve nga Brazili.

Ekspertët kërkojnë forcimin e prodhimit vendor

Ekspertët e sigurisë ushqimore vlerësojnë se situata duhet të shërbejë si shtysë për institucionet që të investojnë më shumë në prodhimin vendor dhe në krijimin e një zinxhiri të qëndrueshëm të industrisë së mishit.

Profesori i sigurisë ushqimore, Afrim Hamidi, thotë se zhvillimi i blegtorisë kërkon një qasje të koordinuar, nga identifikimi i zonave të përshtatshme për rritjen e gjedhëve deri te infrastruktura për përpunimin e mishit.

“Është një industri shumë komplekse, me shumë pjesëmarrës të involvuar dhe shumë faktorë që ndikojnë në të. Ajo lidhet edhe me infrastrukturën tokësore dhe me varësinë nga ushqimi”, ka thënë Hamidi.

Sipas tij, institucionet duhet të identifikojnë rajonet në Kosovë që kanë kushtet më të mira për zhvillimin e blegtorisë, duke u bazuar edhe në përvojën e fermerëve që në të kaluarën kanë përfituar grante.

“Këtyre fermerëve duhet t’u jepet përparësi, duke identifikuar edhe zonat më të përshtatshme sa i përket tokës, ujit dhe reshjeve, dhe njëkohësisht të mendohet për ndërtimin e disa thertoreve”, ka deklaruar profesori.

“Duhet mbrojtur tregu vendor”

Ndryshe e sheh situatën Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit. Përfaqësuesi i saj, Selatin Kaçaniku, vlerëson se kufizimet e BE-së ndaj produkteve braziliane kanë edhe dimensionin e mbrojtjes së tregut evropian.

“Është një veprim gjeopolitik me qëllim të mbrojtjes së tregut të brendshëm të Bashkimit Evropian, sepse arsye të tjera nuk ka”, ka thënë Kaçaniku.

Ai ka theksuar potencialin e madh të Brazilit dhe Argjentinës për prodhimin e mishit, duke i cilësuar këto vende si ndër shtetet me kapacitete të mëdha për kultivimin e gjedhëve.

Kosova mbetet e varur nga importi

Në Kosovë, prodhimi vendor i mishit ende nuk arrin të mbulojë nevojat e tregut, çka e bën vendin të varur nga importet. Brazili zë një pjesë të rëndësishme të këtij tregu, ndërsa miliona euro dalin çdo vit nga vendi për blerjen e produkteve të mishit.

Ekspertët konsiderojnë se përballë kësaj varësie, masat e sigurisë ushqimore duhet të shoqërohen me politika afatgjata për zhvillimin e blegtorisë. Mbështetja financiare e fermerëve, sigurimi i ushqimit për kafshët, infrastruktura për përpunimin e mishit dhe ndërtimi i thertoreve moderne shihen si disa nga hapat që mund të ndihmojnë në rritjen e prodhimit vendor.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Kosova do t’i bashkohet masave që pritet të zbatohen nga BE-ja dhe Shqipëria nga 3 shtatori. Përgjigjja e institucioneve kosovare pritet të jetë vendimtare për mënyrën se si do të trajtohen importet braziliane dhe kontrolli i sigurisë së mishit në tregun kosovar, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Në RMV nis viti i ri shkollor për 238 mijë nxënës

0
Shkup, 1 shtator 2026 – Viti i ri shkollor 2026/2027 ka nisur sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), me rreth 238 mijë nxënës...