BallinaDiasporaKosova dhe Kroacia forcojnë bashkëpunimin për dokumentimin e krimeve të luftës

Kosova dhe Kroacia forcojnë bashkëpunimin për dokumentimin e krimeve të luftës

-

Dy marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Kroacisë janë nënshkruar sot në Zagreb, me fokus në dokumentimin e krimeve të luftës, ruajtjen e materialeve arkivore dhe përkujtimin e së kaluarës.

Marrëveshjet u nënshkruan në Arkivin Shtetëror Kroat, pas përfundimit të një trajnimi pesëditor të zyrtarëve të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL). Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së, Dr. Atdhe Hetemi, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me drejtorin e Arkivit Shtetëror Kroat, Dr. sc. Dinko Čutura. Po ashtu, Hetemi nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit me drejtorin e Qendrës Kroate të Përkujtimit dhe Dokumentimit të Luftës Atdhetare, Dr. Ante Nazor. Marrëveshjet synojnë të krijojnë një bazë më të qëndrueshme për bashkëpunimin institucional ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, veçanërisht në fushën e dokumentimit dhe ruajtjes së dëshmive që lidhen me krimet e luftës dhe kujtesën historike.

Shkëmbim përvojash dhe forcim i kapaciteteve

Përmes këtij bashkëpunimi parashihet shkëmbimi i përvojave profesionale, zhvillimi i hulumtimeve të përbashkëta dhe forcimi i kapaciteteve të institucioneve që merren me arkivimin, dokumentimin dhe ruajtjen e materialeve historike.

Institucionet kroate kanë një përvojë të rëndësishme në dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës së luftës, ndërsa bashkëpunimi me institucionet e Kosovës synon që kjo përvojë të shërbejë edhe në forcimin e punës profesionale për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë kuadër, ruajtja e dokumenteve, dëshmive dhe materialeve arkivore konsiderohet me rëndësi jo vetëm për kërkimin shkencor, por edhe për dokumentimin e së kaluarës dhe ruajtjen e kujtesës së viktimave.

“E vërteta historike duhet të ruhet”

Nënshkrimi i marrëveshjeve vlerësohet si një hap drejt një bashkëpunimi më të strukturuar ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve.

Nga IKKL është theksuar rëndësia e dokumentimit dhe ruajtjes së provave e materialeve historike për ndërtimin e së vërtetës, ruajtjen e dinjitetit të viktimave dhe përcjelljen e kujtesës te brezat e ardhshëm.

Bashkëpunimi me institucionet kroate synon gjithashtu të krijojë mundësi për zhvillimin e mëtejshëm profesional të stafit dhe për shkëmbimin e praktikave në menaxhimin e dokumenteve dhe materialeve arkivore. Në këtë frymë, marrëveshjet e nënshkruara në Zagreb paraqesin një tjetër hap në forcimin e lidhjeve institucionale Kosovë–Kroaci dhe në përpjekjet për ruajtjen e kujtesës historike, dokumentimin e krimeve të luftës dhe mbështetjen e proceseve të hulumtimit dhe drejtësisë. Puna për dokumentimin e së kaluarës, sipas institucioneve pjesëmarrëse, mbetet thelbësore për të siguruar që dëshmitë historike të ruhen dhe t’u përcillen brezave të ardhshëm në mënyrë të dokumentuar dhe profesionale, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci, përcjell helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Vigan Berisha në “Beyond Silence”, ekspozita e parë personale e Argenita Fetahu Zukajt në Zvicër

0
Përgatiti Dashnim HEBIBI Shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, mori pjesë sot në hapjen e ekspozitës personale “Beyond Silence” të...