BallinaDiasporaDibrani në Izrael: Fokus te siguria, inteligjenca korrektuese dhe avancimi i SHKK-së

Dibrani në Izrael: Fokus te siguria, inteligjenca korrektuese dhe avancimi i SHKK-së

-

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, po qëndron për vizitë zyrtare në Izrael, ku së bashku me delegacionin e SHKK-së po zhvillon takime me drejtues të institucioneve korrektuese dhe të sigurisë.

Vizita, e mbështetur nga Ambasada e Shtetit të Izraelit në Kosovë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, ka për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave profesionale në fushën e sigurisë dhe administrimit korrektues.

Në kuadër të agjendës, delegacioni i SHKK-së ka vizituar Selinë Qendrore të Shërbimit të Burgjeve të Izraelit në Ramla. Me këtë rast, Dibrani është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Burgjeve të Izraelit, Kobi Yakobi, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Sigurisë Kombëtare të Izraelit.

Gjatë vizitës, delegacioni kosovar pritet të vizitojë edhe Kompleksin Ayalon/Nitzan, ku do të zhvillojë takime me drejtues të Departamentit të Punës Sociale në Qendrën e Paraburgimit Nitzan. Po ashtu, delegacioni do të njihet nga afër me punën e fabrikës së Burgut Ayalon dhe njësisë qendrore YAMAZ.

Sipas SHKK-së, një nga objektivat kryesore të kësaj vizite është forcimi i sigurisë në institucionet korrektuese dhe shkëmbimi i përvojave në menaxhimin e situatave të sigurisë.

“Fokusi i vizitës është forcimi i sigurisë në institucionet korrektuese, shkëmbimi i përvojave në menaxhimin e sigurisë dhe avancimi i kapaciteteve të Njësisë së Inteligjencës Korrektuese”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Në fokus të vizitës janë edhe programet e risocializimit dhe rehabilitimit të personave të privuar nga liria, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional.

SHKK-ja synon që përvojat dhe praktikat e institucioneve korrektuese izraelite t’i përshtatë dhe t’i shfrytëzojë për avancimin e standardeve në Kosovë, veçanërisht në fushën e sigurisë, inteligjencës korrektuese, menaxhimit dhe rehabilitimit.

Vizita shihet si një mundësi për thellimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve dhe për shkëmbimin e praktikave që mund të kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe sigurisë në sistemin korrektues të Kosovës, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Italia fiton ndaj Francën, kalon në 1/8 e finales së Kampionatit...

0
Kombëtarja e volejbollit e Italisë kalon në 1/8 e finales si skuadra e parë e grupit D. Ekipi italian e përfundon fazën e grupeve...