Mbi dy mijë vite histori, qytetërime të ndryshme dhe mijëra vizitorë që çdo vit mbërrijnë për të prekur nga afër gjurmët e së shkuarës. Butrinti mbetet një prej pikave më të rëndësishme të turizmit kulturor në Shqipëri, ku historia dhe natyra ndërthuren në një prej destinacioneve më të vizituara të vendit. Gjurmët e qytetit nisin që nga periudhat e hershme të banimit dhe vijojnë me qytetërimin grek, periudhën romake, atë paleokristiane e bizantine, deri te periudhat veneciane dhe osmane. Teatri antik, muret, bazilika dhe Baptisteri janë disa prej dëshmive që kanë mbijetuar ndër shekuj dhe që sot u japin vizitorëve mundësinë të përfytyrojnë jetën në këtë qytet mijëra-vjeçar.
“Ajo që më impresionoi më shumë për këtë park është se sa i bukur, paqësor dhe i qetë është… Mund ta imagjinosh vërtet se si mund të ketë qenë ky vend 2000 vjet më parë.”
Për shumë turistë, kjo është vizita e parë në Shqipëri dhe njohja e parë me Butrintin. Ajo që i surprizon është ndërthurja e historisë me natyrën.
“Është mbresëlënëse se sa mirë është ruajtur ky vend… Është vërtet interesante të zbulosh diçka të re, për të cilën nuk dija shumë më parë.”
“Është vërtet një vend shumë i bukur për të qenë, shumë i qetë dhe i rehatshëm. Gjithashtu, është shumë interesante të shohësh historinë dhe informacionin rreth këtij vendi.”
Vetëm në 8 muajt e parë, Butrinti është vizituar nga mbi 204 mijë e 867 turistë, shumica dërrmuese e tyre të huaj. Përtej shifrave, ajo që e bën Butrintin të veçantë është mundësia për të përjetuar nga afër historinë e një qyteti mijëra-vjeçar, ku çdo monument rrëfen një pjesë të së shkuarës, transmeton abcnews.










