POSTIMET E FUNDIT

Berisha me studentët e “Sciences Po”: Shqipëria e ka vendin në BE, korrupsioni pengesa kryesore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të institutit francez “Sciences Po”, ku u diskutuan çështje që lidhen me ekonominë dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë takimit, Berisha u shpreh se Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Europian, por sipas tij, korrupsioni mbetet pengesa kryesore në këtë proces.

Ai theksoi nevojën për reforma strukturore në administratë dhe ekonomi, përfshirë thjeshtimin e procedurave administrative, uljen e barrës fiskale dhe rritjen e transparencës në prokurimet publike përmes digjitalizimit dhe përdorimit të teknologjive të reja.

Në vlerësimin e tij për sistemin e tenderimeve, Berisha deklaroi se praktikat aktuale dekurajojnë pjesëmarrjen e kompanive nga vendet e Bashkimit Europian, duke theksuar se kjo bie ndesh me parimet e tregut të përbashkët dhe shtetit të së drejtës.

Duke folur për integrimin europian dhe zhvillimet rajonale, ai kundërshtoi idenë e “integrimit të diferencuar”, duke iu referuar edhe qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vučić, ndërsa ritheksoi se e ardhmja e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Berisha kërkoi gjithashtu transparencë të plotë dhe hetim për çështje me interes publik, duke përmendur edhe raste që sipas tij lidhen me standardet e institucioneve.

Në diskutimin e tij Berisha u ndal edhe te figura e Havzi Nelës, të cilin e cilësoi si një rast që meriton vlerësim më të madh në kujtesën publike, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB