POSTIMET E FUNDIT

Thirrje për konsensus politik për presidentin, Albulena Haxhiu: Java vendimtare për marrëveshje

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për arritjen e një konsensusi politik lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ajo e cilësoi javën në vijim si vendimtare, duke kërkuar që të shfrytëzohet për takime intensive ndërmjet partive politike.
“Kjo javë është vendimtare. Uroj që të nisë me takime ndërmjet partive politike… në qoftë se ka vullnet, mund të kryhet brenda shumë pak orësh”, deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, është e domosdoshme që të gjitha subjektet politike të angazhohen për të arritur një marrëveshje për emrin e presidentit.
“I ftoj që javën që kemi para nesh ta shfrytëzojmë me takime, të cilat uroj të përmbyllen me një konsensus sa i përket emrit të presidentit”, tha ajo.

Haxhiu bëri të ditur se organizimi i takimeve po udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, duke nënvizuar rolin e tij si lider i shumicës parlamentare.
“Takimet po ftohen nga kryeministri Kurti, si dikush që ka mbi 50 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht 66 me koalicionin”, theksoi ajo.

Megjithatë, ajo nuk e përjashtoi mundësinë që edhe vetë të ndërmarrë iniciativa për takime, nëse një gjë e tillë kërkohet nga partitë politike.
“Në qoftë se partitë presin ftesa nga unë, natyrisht që do t’i ftoj, por deri më tani nuk kam parë kërkesa”, u shpreh Haxhiu.

Ajo apeloi që partitë t’u përgjigjen pozitivisht ftesave për dialog dhe të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje.
“Ajo çka duhet është që t’i përgjigjen pozitivisht ftesave të kryeministrit Kurti, në mënyrë që të kemi një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit”, tha ajo.

Në fund, Haxhiu theksoi rëndësinë e vendosjes së interesit qytetar mbi interesat e ngushta politike, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme të një krize politike.
“Është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Duhet të kemi parasysh interesin e qytetarëve dhe jo interesa individuale apo grupore”, përfundoi ajo, duke shtuar se qytetarët nuk janë të interesuar për zgjedhje të reja në këtë moment, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB