POSTIMET E FUNDIT

Në nder të Eliot Engel: Pritje ngushëlluese në New York me pjesëmarrje të komunitetit shqiptaro-amerikan

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, në bashkëpunim me veprimtarin Harry Bajraktari, ka organizuar një pritje ngushëlluese që do të mbahet të hënën, me rastin e ndarjes nga jeta të Kongresmenit amerikan Eliot Engel, një prej mbështetësve më të mëdhenj të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një njoftimi publik në rrjetet sociale, Harry Bajraktari ka ftuar komunitetin shqiptaro-amerikan që të marrë pjesë në këtë aktivitet përkujtimor, duke theksuar rëndësinë e nderimit të figurës së një miku të përkushtuar të shqiptarëve.

“Pjesëmarrja juaj nderon figurën e një miku të madh të kombit tonë, i cili për më shumë se tre dekada ishte një nga zërat më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të çështjes shqiptare”, ka theksuar Bajraktari.

Ai ka vlerësuar rolin e Engel si ligjvënës dhe si ish-kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, duke e cilësuar atë si një figurë kyçe në mbështetjen për pavarësinë e Kosovës, si dhe për proceset integruese të Shqipërisë në NATO. Po ashtu, Bajraktari ka nënvizuar kontributin e tij në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës.

“Kombi shqiptar do t’i mbetet përjetësisht mirënjohës njeriut që qëndroi gjithmonë pranë nesh. Zoti e bekoftë Kongresmenin Engel, familjen e tij, popullin amerikan dhe atë shqiptar”, është shprehur ai.

Eliot Engel njihet gjerësisht si një nga figurat më të rëndësishme në politikën amerikane që ka mbështetur vazhdimisht çështjet shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të konsiderueshme në marrëdhëniet SHBA–Kosovë dhe SHBA–Shqipëri.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB