POSTIMET E FUNDIT

BE hap rrugën drejt heqjes së roamingut me Ballkanin Perëndimor

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për heqjen e tarifave të roamingut, një hap i rëndësishëm që synon lehtësimin e komunikimit dhe afrimin e mëtejshëm të rajonit me BE-në.

Vendimi pritet të miratohet zyrtarisht në takimin e ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet nesër. Me këtë miratim do të nisë edhe procesi i negociatave individuale me secilin shtet të rajonit, me synimin për të arritur një marrëveshje që do të mundësojë heqjen e plotë të roamingut.

Presidenca qipriote e Bashkimit Evropian e ka përshëndetur vendimin, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë të mbështetjes së BE-së për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerimi i zonës pa roaming është një shenjë e qartë e angazhimit tonë ndaj rajonit. Presim me padurim miratimin zyrtar të vendimit që autorizon hapjen e negociatave për këto marrëveshje”, deklaroi një zëdhënës i Presidencës së Qipros në BE.

Negociatat do të përfshijnë Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Marrëveshjet sektoriale do të fokusohen në roamingun në rrjetet publike të komunikimeve mobile, duke synuar eliminimin e kostove shtesë për përdoruesit gjatë udhëtimeve ndërmjet vendeve të rajonit dhe shteteve anëtare të BE-së.

Sipas zyrtarëve evropianë, procesi i negociimit dhe finalizimi i marrëveshjeve pritet të përmbyllen brenda gjashtë muajve. Nëse afatet respektohen dhe marrëveshja hyn në fuqi sipas planit, qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian do të mund të përdorin telefonat e tyre celularë në vendet respektive me tarifa vendore, pa pagesa shtesë për roaming.

Në skenarin më optimist, roamingu ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor mund të hiqet plotësisht që nga viti i ardhshëm, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe lëvizjen e lirë në rajon, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB