Shqipëria synon të përfundojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027 dhe të bëhet pjesë me të drejta të plota e BE-së brenda vitit 2030. Deklarata u bë nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në hapje të takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri.
Balla theksoi se procesi i integrimit europian ka hyrë në një fazë të re, pasi Shqipëria ka përfunduar hapjen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave dhe tashmë fokusi është te mbyllja e tyre.
“Procesi i anëtarësimit ka hyrë në një fazë të re. Shqipëria ka përfunduar hapjen e të gjithë grup-kapitujve dhe ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Ambicia jonë është e qartë: të përfundojmë negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit 2027, me synimin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030”, deklaroi Balla. Sipas tij, realizimi i këtij objektivi kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional, ritëm të lartë pune dhe zbatim konkret të reformave. Në këtë fazë të procesit, Balla nënvizoi se vëmendja duhet të zhvendoset nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre në praktikë. “Ky është një angazhim që kërkon një ritëm të lartë pune, përgjegjësi institucionale, cilësi reformash dhe rezultate të matshme. Fokusi duhet të kalojë nga ligji i miratuar te ligji i zbatuar. Kjo fazë kërkon më shumë punë, përgjegjësi dhe rezultate të qëndrueshme”, u shpreh ai. Deklaratat e Taulant Ballës vijnë në kuadër të diskutimeve për ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Objektivi i shpallur është përmbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, transmeton euronewsal.










