Bursat, mbështetja financiare për studentët në nevojë dhe investimet në konvikte do të jenë ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Arsimit për vitin 2027.
Arsimi i lartë do të përfitojë një shtesë prej 1.25 miliardë lekësh në buxhetin e vitit 2027, duke shënuar rritjen më të madhe në vlerë në fondet e parashikuara nga Ministria e Arsimit. Lajmi u bë i ditur nga ministrja Mirela Kumbaro gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Edukimit, ku prezantoi prioritetet financiare për vitin e ardhshëm.
Sipas ministres, fondet shtesë do të përdoren për rritjen e bursave dhe zgjerimin e skemave të mbështetjes financiare për studentët. Një tjetër fond prej 375 milionë lekësh do të vihet në dispozicion për përmirësimin e kushteve të akomodimit të studentëve në konvikte.
Kumbaro bëri të ditur se aktualisht 5.900 studentë nga familjet në nevojë përfitojnë bursë prej 25 mijë lekësh në muaj, ndërsa 5.500 studentë me rezultate të larta, me mesatare nga 9 deri në 10, marrin 10 mijë lekë në muaj. Gjithashtu, 177 studentë që ndjekin programe me përparësi kombëtare përfitojnë mbështetje prej 50 mijë lekësh në muaj.
Një risi e skemës së re është zgjerimi i mbështetjes financiare për studentët e programeve prioritare edhe në ciklin e studimeve Master.
Gjatë fjalës së saj, ministrja u ndal edhe te protestat e studentëve, duke bërë thirrje për dialog dhe shmangie të dhunës. Ajo theksoi se përgjigjja ndaj kërkesave të studentëve duhet të vijë përmes rritjes së investimeve dhe mbështetjes financiare.
“Dhuna nuk i shërben askujt, studentët dhe pedagogët armë kanë fjalën dhe dijen, jo gurët”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja sqaroi gjithashtu se tarifat e shkollimit kanë mbetur të pandryshuara që prej vitit 2018. Sipas saj, pagesat që kryejnë studentët mbulojnë vetëm rreth 8% të kostos reale të studimeve, ndërsa pjesa tjetër financohet nga grantet që qeveria u jep universiteteve.
Në tërësi, Ministria e Arsimit do të administrojë për vitin 2027 një buxhet prej 67,95 miliardë lekësh, rreth 4,8% më shumë krahasuar me vitin aktual. Ndërsa financimi i përgjithshëm për sektorin e arsimit, duke përfshirë bashkitë, universitetet dhe institucionet e tjera, parashikohet të arrijë në 93,7 miliardë lekë.
Përveç arsimit të lartë, fondet e vitit të ardhshëm do të mbështesin edhe rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave, sigurimin e teksteve falas, si dhe zgjerimin dhe zgjatjen e programit pas shkolle në arsimin parauniversitar.
Me këtë paketë financiare, Ministria e Arsimit synon të rrisë mbështetjen për studentët, të përmirësojë infrastrukturën arsimore dhe të zgjerojë mundësitë për akses në arsim për të gjitha kategoritë, transmeton abcnews.










