Nga Dashnim HEBIBI
Zarë, 17 prill 2026 – Pa u ndalur tek arbëreshët në Arbanasi, çdo rrëfim për këtë vizitë do të mbetej i paplotë. Ky komunitet i vogël, por me rrënjë të thella historike, përfaqëson një nga dëshmitë më të gjalla të qëndrueshmërisë së identitetit shqiptar jashtë trojeve etnike.

Arbëreshët e Zadar janë pasardhës të shqiptarëve të shpërngulur kryesisht gjatë shekujve XVII–XVIII. Të vendosur në këtë zonë, ata arritën të ruajnë gjuhën, zakonet dhe vetëdijen e tyre kombëtare ndër shekuj, duke krijuar një urë të gjallë mes së kaluarës dhe së tashmes.

Në këtë vizitë morën pjesë dy miqtë e mi, veprimtarë të njohu: Zenel Neziri dhe Rafet Ademi nga Zvicra. Për z. Neziri, kjo ishte hera e parë që vizitonte këtë vend me kaq peshë historike dhe emocionale, duke e bërë përjetimin edhe më të thellë e të paharrueshëm.

Vizita u shndërrua në një udhëtim emocional nëpër kohë. Ecja nëpër rrugët e Arbanasit, të pagëzuara me emra të mëdhenj të historisë dhe kulturës shqiptare si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Teuta dhe Gjergj Fishta, ngjalli emocione të papërshkrueshme. Këta emra nuk janë thjesht tabela rrugësh; ato janë dëshmi e një identiteti të ruajtur me përkushtim dhe krenari.

Arbëreshët e Zarës kanë ruajtur për shekuj jo vetëm gjuhën, në një formë arkaike të shqipes, por edhe traditat, këngët dhe ndjenjën e përkatësisë. Edhe pse të rrethuar nga kultura të tjera, ata kanë ditur të mbajnë gjallë kujtesën e origjinës së tyre, duke e transmetuar brez pas brezi. Kjo i jep kësaj zone një vlerë të veçantë jo vetëm për historinë shqiptare, por edhe për trashëgiminë kulturore evropiane në tërësi.

Takimet me banorët vendas, atmosfera autentike dhe ndjenja e përbashkët e përkatësisë krijuan një lidhje të fortë shpirtërore mes vizitorëve dhe komunitetit arbëresh. Për z. Neziri, kjo përvojë ishte më shumë se një vizitë — ishte një rikthim simbolik tek rrënjët, një përjetim që mbetet gjatë në kujtesë.
Vizita në Arbanas nuk ishte thjesht një ndalesë gjeografike, por një udhëtim në thellësi të historisë dhe identitetit shqiptar — një dëshmi se kultura dhe përkatësia mund të mbijetojnë dhe të lulëzojnë, pavarësisht kohës dhe distancës.




