POSTIMET E FUNDIT

“Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”

Në mjediset e departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë u promovua monografia shkencore “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”, me autorë Prof. Dr. Hamit Boriçi dhe Dr. Jolanda Lila, botim i Qendrës së studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA). Veprimtaria bashkoi gazetarë dhe studiues, të cilët diskutuan mbi historinë dhe rolin e shtypit arbëresh. Fjalën përshëndetëse e mbajti, prof. Elvin Luku, përgjegjës i departamentit të gazetarisë dhe komunikimit në Universitetin e Tiranës, i cili theksoi rëndësinë e këtij botimi për historiografinë e shtypit shqiptar.

Më tej, prof. Mark Marku, dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe studiues i historisë së shtypit shqiptar, vlerësoi kontributin që sjell libri për njohjen tërësore të shtypit që u zhvillua tek arbëreshët e Italisë, tek arvanitasit e Greqisë dhe tek arbneshët e Zarës.

Prof. Hamit Boriçi shprehu mirënjohjen për nderimin që kolegët e departamentit të Gazetarisë, i bëjnë veprës së fundit të botuar prej tij, duke theksuar se kjo monografi është rezultat i një pune të gjatë kërkimore në arkiva dhe një përpjekjeje shumëvjeçare për të sjellë një pasqyrë sa më të plotë të historisë së shtypit arbëresh.

Ndërsa dr. Jolanda Lila, si bashkautore e librit bëri një prezantim të detajuar të risive që sjell ky studim, në pikëpamje jo thjesht të identifikimit dhe paraqitjes kronologjike të të gjitha organeve të shtypit që kanë botuar arbëreshët përgjatë një shekulli e gjysmë, por edhe specifikave e funksionit që kanë pasur këto organe shtypi. Organet e shtypit arbëresh shërbyen jo thjesh si mjete informimi, në një kohë kur nuk kishte mediume të tjera komunikimi, po edhe si shkolla për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare.

Në fund, pati dikskutime e vlerësime për librin edhe nga akademik Artan Fuga dhe prof. Zyhdi Dervishi.

Aktiviteti u mbyll në një atmosferë vlerësimi dhe interesi të lartë akademik, duke theksuar rëndësinë e studimeve të tilla për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB