Nga Dashnim HEBIBI
Në zemër të Dalmacisë, aty ku historia dhe natyra ndërthuren në mënyrë të përkryer, ndodhet Skradini – një qytet i vjetër me rrënjë të thella në kohë. Në këtë vend plot kujtime dhe gjurmë të së kaluarës, bashkë me dy miqtë e mi, Zenel Nezirin dhe Rafet Ademin, kaluam disa çaste të veçanta, duke biseduar gjatë dhe duke u freskuar buzë detit me akullore.
Atmosfera e qetë e qytetit, rrugicat me kalldrëm dhe aroma e detit na kthyen pas në kohë, duke na kujtuar historinë e lashtë të këtyre trojeve. Skradini, i njohur në antikitet si Scardona, është një nga vendbanimet më të hershme në brigjet e Adriatikut. Në këtë zonë dikur jetonin fiset ilire, veçanërisht Liburnët dhe Dalmatët, të njohur për aftësitë e tyre në detari, tregti dhe organizim shoqëror.

Me kalimin e kohës, romakët e shndërruan Scardonën në një qendër të rëndësishme administrative të provincës Dalmatia, duke e integruar në rrjetin e zhvilluar rrugor dhe ekonomik të Perandorisë Romake. Megjithatë, trashëgimia ilire nuk u zhduk, por mbeti e gjallë, e ndërthurur me kulturat që pasuan dhe e pranishme edhe sot në identitetin e këtij rajoni.
Ndërsa qëndronim në këtë qytet plot histori, nuk munguan as lidhjet me bashkatdhetarët. Pak minuta më parë, morëm një telefonatë nga shefi i misionit konsullor të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i cili sapo kishte përfunduar një takim zyrtar në konsullatën e një shteti mik të Kosovës. Si gjithmonë, ai tregoi përkushtim maksimal në detyrën e tij, por njëkohësisht nuk harron të kujdeset dhe për bashkatdhetarët që janë në rrugë.
Respekt për përkushtimin e tij — është një vlerë e shtuar për komunitetin tonë.
Po ashtu, vlen të përmendet edhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri, i cili vazhdimisht qëndron pranë bashkatdhetarëve, me korrektësi dhe seriozitet shembullor. Që nga fillimi i rrugëtimit tonë, ai nuk ka reshtur së treguari kujdes dhe mbështetje.
Jemi me fat që kemi përfaqësues të tillë — njerëz që e mbajnë të gjallë lidhjen me atdheun, edhe kur jemi larg tij.

Dhe për të gjithë ata që udhëtojnë nëpër këto anë, një këshillë miqësore: mos e lini pa u ndalur në Skradin. E në veçanti, bëni një pushim të këndshëm te restoranti dhe ëmbëltorja “Sola Gelato”, një biznes i drejtuar nga pronarë shqiptarë nga Tetova, ku shija e mrekullueshme dhe mikpritja e ngrohtë bashkohen në mënyrën më të bukur.
Skradini nuk është vetëm një destinacion turistik — është një përjetim që të lidh me historinë, me njerëzit dhe me vetveten.




