BallinaEKSKLUZIVEANA ARIFI, ZËRI I NJË GJENERATE QË NUK E HARRON HISTORINË: „FLINI...

ANA ARIFI, ZËRI I NJË GJENERATE QË NUK E HARRON HISTORINË: „FLINI TË QETË, SE RINIA E KOSOVËS PO QËNDRON ZGJUAR PËR JU!“

-

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Nga Presheva në Prishtinë, një vajzë e re, bija e një veterani të dy luftërave çlirimtare, dëshmoi se kujtesa kombëtare nuk shuhet, por trashëgohet nga brezi në brez. Protestave paqësore që po mbahen në Prishtinë dhe në shumë vende të botës, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po u bashkohen edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ata po e dëshmojnë se dhimbja, kujtesa historike dhe kërkesa për drejtësi nuk njohin kufij krahinorë. Shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë një histori të përbashkët, një kujtesë që nuk duhet harruar dhe një lidhje të veçantë me lirinë e Kosovës. Në mesin e shumë zërave që po dëgjohen në këto tubime, një zë i ri, i njomë në moshë, por i fuqishëm në mesazh, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve në protestën e mbrëmshme në Prishtinë.

Screenshot

Është Ana Arifi nga Presheva, bija e veteranit të dy luftërave çlirimtare, Jeton Arifi, i cili sot jeton dhe vepron në Prishtinë. Ana doli para masës protestuese dhe, me një emocion që depërtoi përtej fjalëve, përcolli një mesazh që u prit me duartrokitje të gjata. Nuk ishte thjesht një fjalim i një nxënëseje. Ishte zëri i një vajze që e ka njohur historinë e familjes së saj jo vetëm përmes librave, por edhe përmes fotografive, kujtimeve dhe rrëfimeve të babait e gjyshit të saj, profesor i historisë në Preshevë. Ajo i përket një gjenerate që nuk e ka përjetuar drejtpërdrejt luftën, por që po rritet duke dëgjuar për sakrificën, qëndresën dhe çmimin e lirisë. Babai i saj është njëri nga ata njerëz që i shërbyen çlirimit të Kosovës, ndërsa sot, për shkak të historisë së tij si çlirimtar, nuk mund të jetë në shtëpinë e vet. Një realitet që Ana e njeh dhe e ndien thellë.

Kur historia e familjes bëhet kujtesë kombëtare

Ana, e edukuar dhe e mbështetur nga prindërit e saj, mban me krenari në zemër tri shkronjat e arta të historisë sonë më të re – UÇK-në. Ajo nuk e fsheh krenarinë për babanë e saj. Përkundrazi, e shndërron atë krenari në përgjegjësi, në zë dhe në qëndrim qytetar. Është nxënëse e shkëlqyeshme, e përkushtuar ndaj dijes dhe me perspektivë për suksese të tjera në botën akademike. Por, përtej rezultateve shkollore, ajo po dëshmon se edukimi i vërtetë është edhe aftësia për të njohur rrënjët, për të respektuar sakrificën dhe për të mos e harruar historinë.

Fjalët e saj në protestën e Prishtinës kishin një peshë të veçantë:

„Njohuritë e mia për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i fitova nga kureshtja ime për të ditur kuptimin e fotografive të babit me uniformë në albumin familjar.“ Sa domethënëse është kjo fjali! Një fotografi familjare që për një fëmijë bëhet pyetje, për një prind kujtim dhe për një komb pjesë e historisë. Por momenti më emocionues i fjalimit ishte mesazhi që Ana ua drejtoi ish-krerëve të UÇK-së:

Foto nga protesta: Ana me babain e saj, veteran

„Flini të qetë, se rinia e Kosovës po qëndron zgjuar për ju.“

Një fjali e shkurtër, por me një domethënie të madhe. Një përgjigje e një gjenerate që nuk dëshiron të mbetet vetëm dëshmitare e historisë, por kërkon ta njohë, ta ruajë dhe ta përcjellë atë. Ana foli për drejtësi të paanshme dhe kundër njollosjes së krenarisë së saj dhe të shumë bashkëmoshatarëve të saj. Ajo kërkoi që historia të mos harrohet dhe që sakrifica e atyre që kontribuuan për lirinë të trajtohet me dinjitet e drejtësi.

Presheva ka dhënë bij e bija për lirinë e Kosovës

Kontributi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në rrugëtimin për çlirimin e Kosovës është pjesë e një historie që meriton të kujtohet. Nga ajo trevë dolën veprimtarë, luftëtarë dhe atdhetarë që u vunë në shërbim të çështjes kombëtare. Disa prej tyre ranë dëshmorë, duke lënë pas një trashëgimi sakrifice që nuk duhet të humbasë në kujtesën e brezave. Prandaj, kur një vajzë nga Presheva ngrihet në Prishtinë dhe flet për lirinë e Kosovës, ajo nuk flet vetëm në emër të familjes së saj. Ajo përfaqëson edhe një lidhje historike e shpirtërore që shqiptarët e Luginës e kanë ruajtur ndër breza me Kosovën. Ana, së bashku me bashkëmoshatarët e saj, po na kujton se atdhedashuria nuk trashëgohet vetëm përmes mbiemrit, por edhe përmes edukimit, dijes, kujtesës dhe shembullit që prindërit ua lënë fëmijëve.

Një e ardhme që premton

Sukseset e Anës nuk kufizohen vetëm në paraqitjen e saj në protestë. Ditë më parë, ajo ishte edhe në Gjermani, së bashku me disa shoqe të klasës, në kuadër të një programi shkollor nga institucioni ku vijon mësimet në Prishtinë, ku u dëshmua me sukses. Këto janë shenja inkurajuese se kemi një rini që di të përfaqësohet, të mësojë, të komunikojë dhe të shpalosë vlerat e veta edhe përtej kufijve të vendit. I urojmë Anës suksese të reja në rrugën e dijes dhe në të ardhmen akademike. Le të jetë gjithmonë krenare për prejardhjen e saj, për Preshevën, për familjen dhe për babanë e saj, i cili është pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës. 

Ana Arifi është preshevarja e parë që e mori fjalën në këto protesta që po mbahen në atdhe dhe në diasporë. Me shumë emocione, por edhe me shumë krenari, ajo tha fjalë të fuqishme dhe emocionoi të gjithë të pranishmit.

Kur Ana të arrijë majat e suksesit në botën akademike dhe profesionale, ajo do të ketë me vete dy trashëgimi të çmuara: dijen që do ta ndërtojë vetë dhe kujtesën e sakrificës që ia kanë përcjellë prindërit. Në fund, duhet ta kuptojmë një të vërtetë: Kosova nuk është vetëm shteti që e gëzojmë sot, por është amaneti i brezave që sakrifikuan për të dhe përgjegjësia e brezave që po rriten. Të krenohemi me Anën dhe me rininë tonë! Të investojmë në shkollimin, edukimin dhe të ardhmen e tyre. T’u mësojmë historinë pa urrejtje, por me dinjitet; të duam atdheun jo vetëm me fjalë, por edhe me punë, dije dhe përgjegjësi.

Sepse liria bëhet edhe më e çmuar kur fëmijët tanë e kuptojnë sa është sakrifikuar për të.

Dhe kur një vajzë nga Presheva ngrihet në Prishtinë e thotë se rinia nuk fle, por qëndron zgjuar për kujtesën dhe drejtësinë, atëherë kemi arsye të besojmë se historia jonë nuk do të harrohet. Ana Arifi është një emër i ri, por mesazhi i saj është një kujtesë e madhe: brezat ndërrohen, por dashuria për lirinë duhet të mbetet!

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Tetë ndeshje në Ligën e Kombeve

0
Futbolli i kombëtareve sjell sot një program të pasur në Ligën e Kombeve, ku në tri nivele të garës do të zhvillohen gjithsej tetë...