Kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional.
Zhvillimet politike të së premtes u përqendruan te përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet partive parlamentare. Megjithatë, takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi pa marrëveshje konkrete.
Pas takimit, Hamza deklaroi se PDK-ja e konsideron të domosdoshëm miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas tij, vetëm pas procedimit dhe miratimit të këtyre ndryshimeve në Kuvend, PDK-ja është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e Presidentit.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, gjatë së premtes në mbrëmje, miratoi vendimin lidhur me nismën për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji. Me këtë vendim, Qeveria konstatoi se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e nismës legjislative.
Tash, çështja e ndryshimeve të propozuara për Dhomat e Specializuara pritet të kalojë në Kuvend, ndërsa koha në dispozicion për zgjedhjen e Presidentit po ngushtohet.
Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga partitë parlamentare që t’i përqendrojnë përpjekjet në zgjedhjen dhe betimin e Presidentit para 4 tetorit. Sipas KDI-së, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës nga Albulena Haxhiu, ndërsa 6 tetori paraqet afatin përfundimtar të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Partitë politike kanë edhe katër ditë në dispozicion për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e kreut të shtetit. Deri atëherë, mbetet e hapur nëse palët do të arrijnë kompromis për të shmangur një tjetër përshkallëzim të krizës institucionale, transmeton rtk.










