Ambasada e Republikës së Kosovës në Oslo vazhdon të mbështesë nismat që kontribuojnë në edukimin e brezave të rinj, ruajtjen e gjuhës shqipe dhe promovimin e kulturës shqiptare në Norvegji.
Në këtë frymë, Ambasada mbështeti Shkollën Shqipe “Dardania” në Drammen në realizimin e nismave kulturore dhe arsimore, përfshirë projektin kushtuar fëmijëve dhe të rinjve, si dhe hapjen e bibliotekës së shkollës. Në kuadër të kësaj mbështetjeje, Ambasada dhuroi 23 libra për nivele të ndryshme të mësimit dhe një laptop, me synimin për të krijuar mundësi më të mira për nxënësit dhe për të pasuruar procesin mësimor.

Në mënyrë të veçantë, Ambasada mbështeti grupin e vallëzimit të Shkollës Shqipe “Dardania”, i cili përmes valleve tradicionale shqiptare kontribuon në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore te fëmijët dhe të rinjtë në diasporë.
Nismat e tilla dëshmojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, mësuesve, prindërve dhe komunitetit shqiptar në diasporë. Ato janë një kontribut i çmuar në përcjelljen e gjuhës, traditave dhe identitetit tonë kombëtar te brezat e rinj.

Ambasada shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të aktiviteteve nga z. Hisen Meziu nga @BalkanbodenAB dhe z. Albert Ademi nga @AdriaticCafe+, si dhe për mësimdhënësit e Shkollës Shqipe “Dardania”, Vjollca Zeqiri Aslani dhe Arben Ramadani dhe anëtarët e grupit të vallëzimit, prindërit dhe të gjithë kontribuesit që me përkushtim punojnë për edukimin e fëmijëve dhe ruajtjen e lidhjeve të tyre me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Mbështetja e arsimit shqip dhe e iniciativave kulturore në diasporë mbetet një pjesë e rëndësishme e angazhimit të Ambasadës për të forcuar lidhjet ndërmjet Kosovës dhe bashkatdhetarëve tanë në Norvegji, transmeton Ambasada e Republikës së Kosovës në Norvegji, përcjell helveticALforum.ch.










