Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar lidhur me protestat e vazhdueshme në Shqipëri, duke paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të tyre në akte dhune.
Në njoftimin e saj, ambasada bën të ditur se disa prej demonstratave të zhvilluara në kryeqytet janë shndërruar në trazira të dhunshme, ku janë përdorur mjete ndezëse, janë hedhur gurë dhe janë shkaktuar dëme materiale. Sipas autoriteteve amerikane, protesta të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit. Shqetësim mbetet edhe mundësia e përhapjes së demonstratave në rrugët përreth, çka mund të sjellë shtim të pranisë policore, bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të akseve rrugore. Ambasada paralajmëron gjithashtu se personat që ndodhen pranë zonave të protestave mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur horizontalisht, pajisjeve ndezëse dhe plumbave prej gome.
Për shkak të situatës së krijuar, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka këshilluar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe t’i japin përparësi sigurisë personale.
Paralajmërim edhe për ndërprerje të shërbimeve publike
Në njoftim theksohet se situata mund të ndikojë edhe në funksionimin e shërbimeve publike në kryeqytet. Priten mbyllje të mëtejshme ose reduktime të shërbimeve, përfshirë transportin publik dhe aktivitetin e zyrave qeveritare.
Në këto kushte, qytetarëve u rekomandohet të monitorojnë vazhdimisht mediat lokale, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve të rendit dhe të shmangin lëvizjet në zonat ku zhvillohen protestat.
Mes këshillave të ambasadës janë edhe mbajtja e një profili të ulët në publik, kufizimi i shpërqendrimeve nga telefoni apo kufjet, si dhe pasja e një plani emergjence apo një rruge alternative për largim në rast rreziku.
Njoftimi i ambasadës vjen në një moment tensioni politik dhe social në vend, ndërsa vëmendja mbetet te zhvillimet e protestave të paralajmëruara për ditën e shtunë dhe te masat që do të ndërmerren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike./BS










