BallinaAtdheuAhmet Ismaili takohet me drejtuesit e FMN-së, në fokus reformat dhe stabiliteti...

Ahmet Ismaili takohet me drejtuesit e FMN-së, në fokus reformat dhe stabiliteti financiar i Kosovës

-

Në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim të nivelit të lartë me zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së, Bo Li. Në fokus ishin qëndrueshmëria e sistemit financiar, reformat strategjike dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

PRISHTINË – Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim bilateral me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore. Në takim, ku Ismaili ishte i shoqëruar nga anëtarët e delegacionit të BQK-së, u diskutuan zhvillimet financiare në Kosovë, stabiliteti i sektorit bankar, zbatimi i reformave strategjike dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Sipas njoftimit të BQK-së, guvernatori theksoi se sektori financiar i Kosovës vazhdon të karakterizohet nga stabiliteti dhe performanca e mirë. Ai nënvizoi se sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm, ndërsa sistemi financiar në tërësi vijon të dëshmojë qëndrueshmëri.

Në fokus reformat strategjike dhe mbikëqyrja financiare

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua progresit në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së për periudhën 2024–2028, si dhe rekomandimeve të dala nga vlerësimet dhe misionet e asistencës teknike të FMN-së.

Sipas njoftimit, vëmendje e veçantë iu kushtua avancimit të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik në të gjithë sektorin financiar, forcimit të mekanizmave për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e krizave, si dhe përmirësimit të qeverisjes dhe qëndrueshmërisë institucionale.

Po ashtu, u diskutua për zhvillimin e kapaciteteve analitike të BQK-së, përmirësimin e parashikimeve makroekonomike dhe forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse.

Këto fusha përbëjnë pjesë të përpjekjeve të institucionit për të rritur efektivitetin e mbikëqyrjes financiare dhe për të përmirësuar mekanizmat që ndihmojnë në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve në sistem.

BQK riafirmon mbështetjen për qendrën rajonale të asistencës teknike

Gjatë takimit, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për partneritetin afatgjatë me FMN-në dhe mbështetjen e këtij institucioni në zhvillimin e sektorit financiar dhe avancimin e reformave institucionale në Kosovë.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte themelimi dhe funksionalizimi i Qendrës Rajonale të Asistencës Teknike të FMN-së për Evropën Juglindore (SEETAC).

Në këtë kontekst, Ismaili riafirmoi përkushtimin e BQK-së ndaj kësaj iniciative, duke theksuar se institucioni ka konfirmuar dhe përmbushur kontributin e tij. Funksionalizimi i qendrës synon të mbështesë bashkëpunimin rajonal dhe ofrimin e asistencës teknike në fushat përkatëse, në përputhje me objektivat e FMN-së dhe nevojat e institucioneve të rajonit.

Synohet thellimi i partneritetit me FMN-në

Në përfundim të takimit, të dyja palët riafirmuan angazhimin për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet BQK-së dhe FMN-së. Sipas njoftimit, bashkëpunimi pritet të mbështetet në rezultatet e deritanishme, duke identifikuar mundësi të reja për asistencë teknike, shkëmbim njohurish dhe bashkëpunim institucional. Takimi në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 shërbeu si një mundësi për të diskutuar prioritetet e ardhshme të reformave dhe për të forcuar koordinimin ndërmjet BQK-së dhe FMN-së në mbështetje të stabilitetit financiar dhe zhvillimit institucional të Kosovës, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kosova drejt marrëveshjeve për pensionet me Austrinë dhe Turqinë, zbatimi synohet...

0
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet për t’i kërkuar presidentes autorizimin për nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë. Marrëveshjet synojnë...