Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet për t’i kërkuar presidentes autorizimin për nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë. Marrëveshjet synojnë të njohin periudhat e sigurimit dhe kontributet e qytetarëve që kanë punuar në të dyja shtetet, ndërsa zbatimi pritet të nisë gjatë vitit 2027.
PRISHTINË – Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa drejt lidhjes së marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë, me synimin për të mbrojtur të drejtat pensionale të qytetarëve kosovarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Vendimet u miratuan në mbledhjen e Qeverisë, ku u bë e ditur se do t’i kërkohet presidentes autorizimi për nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse. Përmes tyre synohet që qytetarët që kanë kontribuar në sistemet e sigurimeve në të dyja vendet të kenë mundësi t’i realizojnë të drejtat e tyre pensionale, sipas kushteve që do të përcaktohen në marrëveshje. Kryeministri Albin Kurti, duke folur për marrëveshjen me Turqinë, theksoi se qëllimi është që lëvizja e qytetarëve nga një shtet në tjetrin të mos cenojë sigurinë e tyre sociale.
“Qytetarët që kanë kontribuuar në dy shtetet meritojnë që puna e tyre të njihet dhe të drejtat e fituara t’u ruhen pavarësisht se ku e ndërtojnë jetën”, deklaroi Kurti.
Njohja e kontributeve dhe e viteve të punës
Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, bëri të ditur se marrëveshjet do t’u mundësojnë qytetarëve që kanë jetuar ose punuar në Austri dhe Turqi të përfitojnë nga të drejtat pensionale, në përputhje me periudhat e sigurimit dhe kontributet e tyre. Sipas tij, koordinimi i skemave të sigurimeve sociale dhe bashkimi i periudhave të sigurimit do të ndihmojnë në vlerësimin e viteve të punës të realizuara në të dyja shtetet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët që gjatë jetës së tyre profesionale kanë punuar në më shumë se një vend dhe kanë paguar kontribute në sisteme të ndryshme të sigurimeve shoqërore. Megjithatë, përfitimet konkrete dhe kushtet e realizimit të të drejtave pensionale do të varen nga dispozitat e marrëveshjeve përkatëse.
Zbatimi synohet të nisë në vitin 2027
Ministri Hoti deklaroi se marrëveshjet nuk parashohin kosto buxhetore, ndërsa synimi i institucioneve është që zbatimi i tyre të fillojë gjatë vitit 2027. Pas përfundimit të procedurave institucionale dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, pritet të përcaktohen mekanizmat për zbatimin e tyre dhe mënyra se si qytetarët do të mund të kërkojnë njohjen e të drejtave të fituara. Këto marrëveshje synojnë të shmangin humbjen e të drejtave që lidhen me periudhat e punësimit dhe kontributet, për shkak të ndryshimit të vendbanimit ose të shtetit ku qytetarët kanë ushtruar veprimtarinë e tyre profesionale.
Kosova synon marrëveshje të ngjashme edhe me Slloveninë dhe Kroacinë
Paralelisht me negociatat për marrëveshjet me Austrinë dhe Turqinë, institucionet e Kosovës po synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin edhe me shtete të tjera ku jetojnë dhe punojnë qytetarë kosovarë. Ministri Andin Hoti bëri të ditur se ka kërkuar takime me homologët e tij në Slloveni dhe Kroaci, me qëllim të avancimit të bisedimeve për marrëveshje të ngjashme për sigurime sociale.Në rastin e Sllovenisë, ai përmendi edhe çështjen e migrimit të rregullt të punëtorëve të kualifikuar, si një nga temat që pritet të trajtohen në kuadër të diskutimeve dypalëshe. Hoti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional për çështjet që prekin qytetarët e Kosovës jashtë vendit, duke shmangur komentet mbi deklaratat politike të kryeministrave. Marrëveshjet me Austrinë dhe Turqinë përbëjnë një hap drejt koordinimit të sistemeve të sigurimeve sociale dhe mbrojtjes së të drejtave pensionale të qytetarëve kosovarë që punojnë jashtë vendit. Nëse procedurat përfundojnë sipas planifikimit, zbatimi i tyre pritet të nisë në vitin 2027, transmeton rtk.










