Në kuadër të Peja Peace Forum 2026, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë u nderua me certifikatën “Certificate of Congressional Recognition” nga kongresmeni amerikan Ken Calvert, për rolin e tij si bashkorganizator dhe nikoqir i forumit, si dhe për përkushtimin në përfshirjen e të rinjve në edukimin për paqe dhe dialog. Certifikata, e datës 14 nëntor 2026, i drejtohet Universitetit “Haxhi Zeka”, duke përmendur rektorin, Prof. Dr. Armand Krasniqi, në cilësinë e drejtuesit të institucionit mikpritës. Në motivacion vlerësohet angazhimi i Universitetit për t’i afruar të rinjtë me çështjet e paqes dhe për të nxitur pjesëmarrjen e tyre në dialog.

“Arsimi do të sjellë prosperitet” është mesazhi i përcjellë në këtë mirënjohje, krahas urimeve për vazhdimin e sukseseve dhe të ekselencës së Universitetit. Ky vlerësim i dha një domethënie të veçantë pjesëmarrjes së UHZ-së në Peja Peace Forum. Përmes bashkorganizimit dhe mikpritjes së forumit, Universiteti krijoi mundësi që studentët dhe komuniteti akademik të bëheshin pjesë e diskutimeve me të ftuar vendorë e ndërkombëtarë mbi paqen, dialogun dhe sigurinë njerëzore.
Mirënjohja nga kongresmeni Calvert vlerësoi pikërisht këtë angazhim: rolin e Universitetit në edukimin e të rinjve që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e paqes, transmeton UHZ, përcjell helveticALforum.ch.










