Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, i udhëhequr nga shefja e kabinetit të ministrit, Tela Shema, ka marrë pjesë në takimin e Zyrtarëve të Lartë të Procesit të Pragës, i cili u mbajt më 10 dhe 11 nëntor 2026 në Pragë të Çekisë.
Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e Kosovës kanë prezantuar progresin e vendit në menaxhimin e migracionit, duke vënë në pah rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe forcimin e mekanizmave për trajtimin e çështjeve që lidhen me migracionin.
Në këtë kuadër, është theksuar roli i Autoritetit Qeveritar për Migracion, si dhe funksionalizimi i Sistemit të Identifikimit Biometrik në pikat kufitare. Po ashtu, delegacioni ka prezantuar avancimin e kapaciteteve për pritjen dhe mbrojtjen e migrantëve, si dhe zhvillimin e Sistemit të Integruar për Menaxhimin e Informatave për Migracionin.
Kosova ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen për Planin e Veprimit 2028–2032, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në mënyrë aktive në realizimin e prioriteteve dhe objektivave të përbashkëta në këtë fushë. Takimi i Zyrtarëve të Lartë në Pragë shërben si përgatitje për Konferencën e Pestë Ministrore të Procesit të Pragës, e cila do të mbahet në Vilnius të Lituanisë. Pjesëmarrja në këtë proces ndërkombëtar vlerësohet si dëshmi e angazhimit të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e politikave të migracionit, në përputhje me sfidat dhe standardet bashkëkohore, transmeton rtk.










