Aftësitë profesionale, punësimi i të rinjve dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat ishin në fokus të konferencës rajonale “Skills for Jobs Conference”, e mbajtur në Vjenë.
Ministri Andin Hoti ka marrë pjesë në konferencën rajonale “Skills for Jobs Conference”, e organizuar në Vjenë me ftesë të Bankës Botërore, ku përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë nga vende të ndryshme kanë diskutuar për sfidat dhe mundësitë në zhvillimin e tregut të punës. Në qendër të diskutimeve ishte zhvillimi i aftësive profesionale dhe përshtatja e tyre me kërkesat gjithnjë në ndryshim të tregut të punës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për të ndërtuar ura më të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, në mënyrë që arsimi profesional dhe përgatitja e fuqisë punëtore të jenë në përputhje me nevojat reale të ekonomisë.
Përmes një njoftimi, ministri Hoti ka bërë të ditur se konferenca ka ofruar mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe ideve me përfaqësues të vendeve të tjera, veçanërisht me Austrinë, e cila u përmend si një partner me përvojë në zhvillimin e aftësive profesionale dhe ndërlidhjen e tyre me tregun e punës. Sipas tij, përvoja të tilla mund të shërbejnë si pikënisje për avancimin e politikave të punësimit dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët e Kosovës. Pjesëmarrja në këtë konferencë vjen në një kohë kur tregu i punës po përballet me ndryshime të vazhdueshme, ndërsa kërkesa për kuadro të kualifikuara, aftësi të reja dhe profesione të përshtatura me zhvillimet ekonomike e teknologjike po bëhet gjithnjë e më e madhe. Në këtë drejtim, për Kosovën mbetet me rëndësi që përvojat ndërkombëtare të shndërrohen në politika konkrete, të cilat do të ndihmojnë në përgatitjen profesionale të të rinjve, rritjen e mundësive për punësim dhe forcimin e bashkëpunimit me bizneset. Në fund, ministri Andin Hoti ka falënderuar Bankën Botërore dhe Republikën e Austrisë për organizimin e konferencës dhe mundësinë e shkëmbimit të përvojave, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e politikave të punësimit, transmeton rtk.










