BallinaDiasporaKUSARI NË WEB SUMMIT: E ARDHMJA E KOSOVËS ËSHTË EVROPIANE, RRUGA DREJT...

KUSARI NË WEB SUMMIT: E ARDHMJA E KOSOVËS ËSHTË EVROPIANE, RRUGA DREJT BE-SË E PAKOMPROMIS

-

Ministrja e Kosovës, Mimoza Kusari, ka marrë pjesë në një panel diskutimi në kuadër të samitit ndërkombëtar të teknologjisë “Web Summit”, ku në fokus ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe perspektiva evropiane e Kosovës. Ajo ka ritheksuar se integrimi evropian i Kosovës mbetet një përcaktim i palëkundur dhe se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e familjes evropiane, shkruan “Bota sot”. Paneli, i cili ishte planifikuar të mbahej një ditë më parë, është zhvilluar sot, nën moderimin e gazetares polake Dominika Tarczyńska. Diskutimi u zhvillua me temën “Zgjerimi i BE-së: Sa më e madhe, aq më mirë?”, ku Kusari ka prezantuar qëndrimet e saj për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministrja ka bërë të ditur se gjatë diskutimit ka theksuar se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e pakompromis, duke nënvizuar se historia e projektit evropian nuk mund të konsiderohet e plotë pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor. Një pjesë e rëndësishme e panelit iu kushtua edhe situatës në Ukrainë dhe qëndrimit të Kosovës ndaj luftës dhe popullit ukrainas. Në këtë kontekst, Kusari ka ritheksuar se mbështetja e Kosovës për Ukrainën mbështetet në parimet e lirisë, drejtësisë dhe respektimit të sovranitetit territorial. Ajo ka vënë në pah se e drejta e popullit ukrainas për liri, pavarësi dhe sovranitet është një qëndrim i palëkundur i Kosovës. Ministrja ka theksuar gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe avancimi drejt statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian përbëjnë hapa thelbësorë në rrugëtimin e saj drejt integrimit. Sipas saj, përmes reformave, forcimit të institucioneve dhe besimit në potencialin e vendit, Kosova duhet të vazhdojë të ndërtojë një të ardhme më të zhvilluar dhe më të integruar në strukturat evropiane. Pjesëmarrja në një forum të rëndësishëm ndërkombëtar si “Web Summit” përbën gjithashtu një mundësi për të prezantuar qëndrimet e Kosovës për çështjet evropiane dhe për të artikuluar para një audience ndërkombëtare synimet e saj politike dhe institucionale. Mesazhi i Kusarit ishte i qartë: e ardhmja e Kosovës është evropiane, ndërsa perspektiva e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë pjesë e vizionit të një Evrope të bashkuar./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Misteri i rreth 60 mijë apartamenteve bosh në Tiranë

0
Nga Ola Xama Në vitin 2023 numri i banesave në Tiranë që kishin një kontratë me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike OSHEE dhe konsumonin...

SYTË E SAJ