Nga: Lulzim Hajdari
Sytë e saj nuk janë thjesht dy yje,
janë dy botë të mistershme,
ku humbasin mendimet dhe durimi,
ku zemra gjen prehjen e përhershme.
Në ata sy gjendet një qiell i heshtur,
një det i pafund që kurrë nuk fle,
në horizonte blu – një mall i fshehur, vështrimi i saj si verë të deh.
Nata bëhet më e shkurtër kur më sheh,
yjet zbresin pranë nesh e më pëshpëritin: “Mos kërko më larg – a nuk e sheh?
Ajo që kërkon është këtu, pranë teje.”
Sytë e saj duket sikur ndjekin një ëndërr;
i sodis dhe nuk dua ta zgjoj atë dritë të butë që më prek zemrën, e sa më gjatë i shikoj, aq më shumë më pushton.
Kur i shoh, i dorëzuar para tundimit,
harroj krejt çfarë doja të thoja.
Për një bukuri të tillë nuk gjej fjalë,
veçse qëndroj i hutuar, në heshtje përballë.
Sytë e saj, dy yje vezullues,
në një botë kaq të zhurmshme,
aty zemra ime gjen paqen që kërkoi gjatë gjithë jetës së saj të mundimshme.
Ç’VLERË KA JETA, NËSE NUK DI TË DASHUROSH?
Në këtë botë që të lodh e nuk të fal,
ku shpirti shpesh plagët i fsheh,
dashuria mbetet një dritë e gjallë,
i vetmi diell që zemrën e deh.
Ç’vlerë ka jeta, nëse nuk di të dashurosh, nëse nuk ke një zemër ku gjen qetësi?
Ne jemi veç udhëtarë të përkohshëm,
që pas vetes lëmë pak dashuri.
Nuk na duhet pasuria, as emri e lavdia,
as vite të gjata pa ngrohtësi;
mjafton një shpirt që të do me të vërtetë,
një përqafim i ngrohtë në këtë botë të errët.
Sepse kur në këtë botë të mbyllim sytë, asgjë nuk do të marrim
në udhëtimin pa kthim;
vetëm dashuria që kemi dhënë
do të mbetet në shpirt…
Sepse të jetosh është pak,
të dashurosh është një himn!










